
Një episod “spektakolar” korrupsioni ka vendosur në rrezik serioz të ardhmen e shtetit më të ri në botë, Sudanit të Jugut, që lufton për të mos falimentuar.
Më shumë se katër miliardë dollarë ose më shumë se katër herë buxheti i një viti në vendin e varfër afrikan është përvetësuar nga 75 zyrtarë të lartë të vendit, duke lënë arkat e shtetit pa “asnjë kacidhe”.
Lajmi u raportua të mërkurën nga “BBC”, pasi presidenti i vendit, Salva Kiir, i dërgoi një letër ish-punonjësve qeveritarë, në të cilën i ofronte imunitet nga ndjekja ligjore, nëse do të kthenin shumën e vjedhur në arkat e shtetit.
Megjithatë, vetëm 60 milion dollarë, janë kthyer mbrapsht. Emrat e personave të përfshirë në këtë skandal nuk janë bërë ende të ditura nga autoritetet vendase.
Shumica e fondeve të vjedhura janë ndihma të huaja, të destinuara për rindërtimin e vendit që fitoi pavarësinë në një referendum të mbajtur në korrik 2011.
Situata ekonomike në Sudanin e Jugut aktualisht është tejet e dëshpëruar, pasi në vend është ndërprerë si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve me Sudanin prodhimi i naftës, që përbën 98% të të ardhurave të përgjitshme të vendit.
Një shtet me 8,2 milionë banorë, Sudani i Jugut ka një territor të krahasueshëm me Francën për nga madhësia dhe Prodhim të Brendshëm Bruto në kohën e prodhimit të naftës prej 13 miliardë dollarësh. Më shumë se 90% e popullsisë jeton me më pak se 1 dollarë në ditë, duke qenë e rrezikuar nga uria dhe varfëria e skajshme.
Top Channel