Monituruesit e OKB-së në Siri janë bërë shënjestra e sulmit të një turme të egërsuar njerëzish, dhe agresorësh të panjohur të cilët kanë qëlluar mbi automjetet e tyre teksa tentonin t’i afroheshin qytetit të Haffa-s, në veri të vendit.
Fillimisht, sic rrëfyen vëzhguesit, makinat e tyre u qëlluan me gurë e më pas me armë.
“Monitoruesit e OKB-së u përpoqën të mbërrinin në Haffa, por janë përballur me një grup njerëzish të cilët i kanë rrethuar makinat duke i ndaluar ecjen përpara. Turma e përbërë ndoshta nga banorë të zonës, ka filluar të qëllojë automjetet me gurë e sende metalike, dhe pasi vëzhguesit vendosën të ktheheshin, persona te paidentifikuar hapën zjarr. Misioni vëzhgues i OKB-së në Siri ka që prej datës 7 qershor që po përpiqet të hyjë në Haffah, por përpjekjet e tij kanë rezultuar të pasuksesshme për shkak të dhunës së vazhdueshme në zonë. Për këtë arsye, ne i bëjmë thirrje për të gjitha palëve t`i lejojnë vëzhguesve kalimin e menjëhershëm e pa pengesa në të gjitha zonat e konfliktit”, tha Sausan Ghosheh, zëdhënëse e misionit të OKB-së
Kreu i misionit paqeruajtes të Kombeve të Bashkuara, Herve Ladsous la pak vend për dyshime me deklaratën e tij të fortë në Nju Jork, kur tha përpara gazetarëve se Siria është aktualisht në një gjëndje që mund të përshkruhet si luftë civile.
“Është e qartë se qeveria siriane, ka humbur territore të konsiderueshme”, u shpreh ai, përfshirë këtu disa qytete mbështetëse të opozitës, dhe tani po kërkon të rimarrë situaten nën kontroll”.
Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillary Klinton nga ana tjetër ka sulmuar edhe një herë Rusinë me pretendimet se Moska mund të dërgojë në Siri helikopterë luftarakë. Sa për pretendimet ruse se dërgesat e armëve në këtë vend nuk kanë asnjë lidhje me konfliktin, Klinton i cilësoi qartazi të paverteta.
“Kemi informacione për dergim helikopteresh”, tha ajo, dhe kjo do ta përshkallëzonte situatën në mënyrë dramatike. Por shefja e diplomacisë amerikane u tregua e kujdesshme të mos përcillte asnjë detaj mbi burimin e këtyre të dhënave.
Pohimet e saj vijnë pak pas deklaratave të Francës se druhet që masakra të reja po përgatiten në Siri, ndërsa raportet për dhunë sa vjen e shtohen.
Top Channel