Tregjet aziatike kanë rënë nga frika e krizës së borxhit në eurozonë, pasi kostoja e huave për Spanjën dhe Italinë u ngrit.
Bursa japoneze Nikkei, ajo koreano-jugore Kospi dhe Hang Seng e Hong Kongut ranë pranë kuotës 1 për qind. Ditën e hënë, të ardhurat nga bondet spanjolle u rritën deri në 6.5 për qind, ndërsa ato nga bondet 10-vjeçare italiane në 6.032 për qind.
Analistët thonë se kjo tregon se ka shqetësime për gjendjen financiare të vendeve evropiane, pavarësisht ndihmës për bankat spanjolle.
“Është kuptuar se Spanja, teksa siguron para për bankat e saj, do të rrisë borxhin kundrejt GDP-së”, ka deklaruar Paul Zemsky, drejtor i ING Investment Management.
“Ata po marrin hua para, duke mos bërë asgjë për rritjen ekonomike. Sot ne nuk jemi të shqetësuar për rënien e sistemit bankar spanjoll, por përveç kësaj, asgjë s’ka ndryshuar”, ka thënë Zemsky.
Gjithësesi, teksa kriza po përhapet edhe në vende të tjera veç Greqisë dhe Portugalisë, si në Spanjë dhe Itali, ekziston frika se rritja në rajon mund të ngadalësohet edhe më tej.
Analistët thonë se është kjo arsyeja kyçe që ka shkaktuar rënien në tregjet në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë ditën e hënë, pas euforisë fillestare të shkaktuar nga ndihma prej 100 miliardë eurosh e njoftuar në fundjavë për Spanjën.
Top Channel