Fatos Nano kthen në realitet kërcënimin e tij ndaj klasës udhëheqëse të Partisë Socialiste. Ish-kryeministri, pas dështimit në marrjen e kandidaturës për President të Republikës, njoftoi pikërisht në ditën e 21-vjetorit të themelimit të PS-së, krijimin e lëvizjes “Nano për fitoren e socialistëve”.
Nëpërmjet një komunikate për mediat, ish-kreu i socialistëve deklaron qëllimin e lëvizjes:
“Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve, thuhet në njoftimin për shtyp, është përbashkimi i të gjithë popullit të majtë, i të gjithë popullit opozitar, për të fituar së bashku zgjedhjet në vitin 2013. Kjo Lëvizje, thuhet më tej, do të mbështesë të gjithë sensibilitetin e socialistëve të ndershëm në të gjithë Shqipërinë për t’i dalë për zot fateve të Partisë Socialiste duke larguar Edi Ramën nga pozicioni që ai ka uzurpuar si Kryetar i pamerituar dhe humbës i palodhur. Ta largojmë humbësin përsëritës dhe kronik Edi Rama që të fitojmë kundër Sali Berishës në vitin 2013”, thuhet në deklaratën e lëvizjes së re të Nanos.
Sipas njoftimit, “Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve synon të bashkojë çdo socialist, çdo të majtë, por edhe të gjithë opozitarët me këtë Qeverisje dështake e të padrejtë, në mënyrë që së bashku të fitojmë zgjedhjet e vitit 2013”.
Më tej Lëvizja fton të gjithë “popullin e majtë, opozitarët e sinqertë dhe të ndershëm me këtë Qeverisje, duhet të bëhen të gjithë bashkë. Bashkë e mundim Sali Berishën. Bashkë i fitojmë zgjedhjet në vitin 2013. Bashkë e bëjmë Shqipërinë fituese. Bashkë e bëjmë Shqipërinë Europiane”, përfundon deklarata e Lëvizjes së Fatos Nanos.
Top Channel