Kriza e Eurozonës, përveçse ka goditur financat është shndërruar edhe në një lojë nervash mes udhëheqësve të vendeve anëtare të monedhës së përbashkët.
Kryeministri italian, Mario Monti u shpreh i inatosur në lidhje me deklaratën e Ministres së Financave të Austrisë, Maria Fekter, deklaratë të cilën kryeministri italian e cilësoi si ndërhyrje në punët e brendshme të Italisë.
Ministrja austriake deklaroi më herët se Italia mund të ketë të nevojshme ndihmën financiare nga vendet e tjera të Eurozonës, ashtu sikundër bëri Spanja.
“E konsideroj si të pavend deklaratën e një Ministri Financash të një vendi tjetër që vendos të komentojë situatën financiare të një shteti tjetër. S’mund të komentojë deklarata të këtij tipi”, deklaroi Monti për mediat italiane.
Kundërpërgjigja italiane ka detyruar ministren austriake të lëshojë një deklaratë të dytë ku sqaron qendrimin e saj e ku kërkon të zbusë debatin.
“Nuk kemi asnjë shenjë që Italia do të kërkojë ndihmë financiare nga vendet anëtare të Eurozonës dhe nuk mendoj se kjo do të ndodhë”, ishte deklarata e mëvonshme e ministres Fekter.
Ndërkohë, kryeministri italian, gjatë konferencës për shtyp të mbajtur me rastin e samitit italo-zviceran shprehu besimin e tij për tejkalimin e krizës.
“Bashkimi Europian ka ditur të marrë vendime të rëndësishme në momente kritike. Ne do të vazhdojmë të garantojmë stabilitet në zonën Euro me të gjitha instrumentet që kemi në dispozicion”, deklaroi Monti.
Top Channel