Drejtues të shtetit të Kosovës dhe të partive politike kanë uruar zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani dhe i kanë uruar sukses në detyrën e re.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në urimin e saj shprehu përkushtimin për bashkëpunimin e gjithanshëm ndërmjet dy shteteve, në përparimin e mirëqenien e kombit dhe në rrugën e integrimeve euro-atlantike, të paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Republika e Kosovës i sheh me dashamirësi të gjitha përparimet e Shqipërisë dhe avancimin e proceseve demokratike, të parlamentarizmit dhe të ndarjes së pushteteve si dhe avancimin e të drejtave dhe lirive të njeriut”, shkruan Jahjaga.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar z. Nishani që mandati i tij presidencial të jetë i mbushur me arritje, fitore dhe suksese, si në rrafshin kombëtar dhe në atë ndërkombëtar.
”Në emër të qeverisë dhe qytetarëve shpreh urimet më të mira për zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë, z. Bujar Nishani. E urojmë për zgjedhjen, e urojmë që të kryej obligimet karshi kombit dhe atdheut”, tha Thaçi.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nëpërmjet një deklarate për media ka uruar edhe zgjedhjen e Presidentit të ri të Shqipërisë. “Zgjedhja e juaj, President i Republikës së Shqipërisë, na jep shpresë se marrëdhëniet e gjithanshme dhe vëllazërore, që mbretërojnë tashmë në mes dy vendeve tona, do të thellohen në të gjitha fushat e jetës. Jam thellësisht i bindur se kontributi i juaj në këtë aspekt do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm”, shkruan Mustafa.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në një kumtesë për media, vlerësoi se Shqipëria kaloi edhe një test të rëndësishëm të demokracisë, në konsolidimin e mëtejmë në rrugën drejt BE-së, duke shtuar se “AAK uron, gjithashtu, kryeministrin Sali Berisha, partnerët e tij të koalicionit dhe mbrarë spektrin politik shqiptar për tejkalimin e kësaj sfide të rëndësishme për vendin dhe institucionet e shtetit shqiptar”.
Top Channel