Falklands, refendum për pavarësinë nga Britania

12/06/2012 15:55

Ishujt Falklands do të mbajnë një referendum në lidhje me statusin e tyre politik, në një përpjekje për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve me Argjentinën, që pretendon sovranitetin e arkipelagut.

Qeveria lokale e ishullit bëri këtë njoftim në prag të 30-vjetorit të çlirimit, pas pushtimit 74 ditor të ishullit nga ana e trupave argjentinase.

Sipas shtypit vendas, nëpërmjet këtij referendumi synohet që t’i jepet Buenos Airesit një mesazh i qartë se banorët e ishullit duan të mbeten britanikë.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, pak pas publikimit të lajmit për mbajtjen e referendumit u shpreh se Londra do të mbështesë dhe do të njohë rezultatin e votës së lirë.

Referendumi do të organizohet nga qeveria lokale e ishujve Falklands, të quajtur Malvine në spanjisht dhe do të mbahet në fillim të 2013-s.

Aktualisht, përshkallëzimi i tensioneve për sovranitetin e ishullit ka bërë që Buenos Airesi të shpallë një bllokadë ekonomike ndaj Falklands, ndërsa të gjitha anijet me flamurin e ishujve ndalohen të ankorohen në portet argjentinase dhe të disa vendeve të tjera latine.

Në portet argjentinase ndalohet të ankorohen edhe anijet që lundrojnë nën flamurin e Britanisë së Madhe.

Argjentina fitoi pavarësinë nga Spanja në vitin 1810, me ishujt “Malvinas”, si pjesë përbërëse e territorit, por Britania e Madhe i pushtoi në vitin 1833 dhe që prej atëherë territori me madhësi të ngjashme sa Kosova, i ndodhur vetëm dhjetëra kilometra nga brigjet e Amerikës së Jugut, mbetet pjesë e kurorës së Mbretërisë së Bashkuar.

Në vitin 1982, ndërsa vendi drejtohej nga regjimi i një junte ushtarake, Argjentina pushtoi shkurtimisht ishujt, për t’u zmbrapsur përballë ndërhyrjes së vendosur së Britanisë së drejtuar nga Margaret Thatcher.

Qëndrimi nacionalist i qeverisë aktuale së presidentes Cristina Fernandez de Kirchner ka rikthyer tensionet midis Argjentinës dhe Britanisë në 30 vjetorin e luftës midis dy shteteve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA