Eduard Kukan, kreu i delegacionit europarlamentar për Ballkanin përgëzoi Bujar Nishanin për zgjedhjen në postin e presidentit, por e cilësoi procesin si një shans tjetër të humbur nga Shqipëria në rrugën e vendit drejt Bashkimit Europian.
“Dua të përgëzoj z. Bujar Nishani që u zgjodh President i ri i Shqipërisë. Unë shpresoj se ai do të jetë i aftë të bashkojë dhe të përfaqësojë me pavarësi të gjithë qytetarët e Shqipërisë si dhe të shërbejë në interesin e tyre më të mirë. Zgjedhjet Presidenciale ishin një shans tjetër që forcat politike në Shqipëri të konfirmonin fjalët e tyre për dialogun dhe bashkëpunimin politik. Fatkeqësisht, ky proces përbën një shans tjetër të humbur. Kam frikë se pa rezultate të prekshme në përmirësimin e jetës politike, vendi mund të humbasë gjithashtu të tjera shanse të rëndësishme”, thuhet në deklaratën e Kukanit.
Në përfundim, Eduard Kukan kujton se sfidat me të cilat përballet Shqipëria kërkojnë bashkëpunim si në politikat e brendshme ashtu edhe në ato europiane, duke shpresuar se presidenti i ri do të bëjë të gjitha përpjekjet për ta shndërruar këtë në një realitet politik.
Top Channel