
Seanca që duhet të zgjidhte ish-politikanin dhe analistin Artan Hoxha,
si presidenti i ri i Republikës ishte fiksuar të fillonte në orën 10.00.
Në të njëjtën kohë me hapjen e sallës së seancave plenare, në Kryesinë e Kuvendit Komisioni i Ligjeve kalonte mes debatesh kandidaturën e zotit Hoxha. Opozita kërkonte një verifikim të figurës së tij. Por nga mazhoranca zoti Hoxha mundi të mbledhë 40 firma deputetësh, 2 herë më shumë nga minimumi që kërkon Kushtetuta për të qenë kandidat zyrtar.
Ndërkohë në sallën e seancave plenare, ku ambasadorët e kanë të vijnë 10 minuta para, ose të mos vijnë fare, ra në sy mungesa e ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu. Burime për Top Channel konfirmuan se ambasadori Arvizu, ai që aq shumë ishte përpjekur për gjetjen e një kandidati konsensual, nuk do të ishte i pranishëm. Sipas të njëjtave burime ambasada amerikane do të përfaqësohej me atashenë politike, Xhenifer Mur. Në orën 11, në sallën e seancave plenare, Komisioni i Ligjeve i kishte sjellë materialet e kandidatit tashmë zyrtar.
Vonesa në fillimin e seancës u justifikua me fotokopjimin e materialeve dhe përgatitjen e bazës materiale për votimin. Komisoni i Votimit, në njëfare mënyrë KQZ-ja e parlamentit, do të përbëhej nga deputët e mazhorancës Viktor Gumi dhe Arenca Trashani dhe nga opozita, deputeti Armando Subashi.
Socialistët, që kishin marrë vendim në mëngjes për të marrë pjesë në seancë, por për të mos votuar, do të dërgonin përfaqësuesin e tyre për të kontrolluar procesin. Ndërkohë Artan Hoxha ishte fiksuar nga kamerat të linte banesën e tij, i shoqëruar nga punonjësit e Gardës, duke dhënë lëshuar vetëm një frazë të shpejtë për mediat. Por destinacioni i kandidatit Artan Hoxha mbeti i paqartë orët në vijim. Pak para mesditës në selinë e Parlamentit pati lëvizje: ambasadorët e pranishëm po linin sallën, ku kishin gati dy orë që prisnin. Pak minuta më vonë, lajmi i madh ishte tërheqja e Artan Hoxhës. Tërheqje që duket se e zuri shumë ngushtë mazhorancën, sic kuptohet nga një prononcim i shkurtër i kryetarit të grupit demokrat Astrit Patozi.
Ndërkohë, si Vangjel Dule edhe Shpëtim Idrizi, kërkuan që Partia Socialiste të kandidonte Fatos Nanon.
Në orën 13.00, në oborrin e godinës së seancave plenare nuk kishte më këmbë deputeti. Tratativat për presidentin e ri, filluan edhe njëherë… në kulisa.
Top Channel