Bujar Nishani, presidenti i ri i Republikës

11/06/2012 00:00

Në orën 19:00 të mbrëmjes së të hënës Kuvendi i Shqipërisë i dha fund maratonës dramatike dhe aspak të zakonshme të zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës. Ai është Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, kandidimi i të cilit erdhi pas dy tërheqjeve surprizë të kandidatëve të mëparshëm të mazhorancës qeverisëse, gjykatësit kushtetues Xhezair Zaganjori, i tërhequr më 8 qershor, pas raundit të tretë dhe ajo më surprizë akoma, e ekonomistit nga shoqëria civile, Artan Hoxha mesditën e së hënës, kur pritej të niste raundi i katërt.

Pas këtyre dy tërheqjeve surprizë, që kapën në befasi si Sali Berishën, edhe Ilir Metën, zgjedhja e Bujar Nishanit në postin e presidentit nuk kishte sesi të mos clironte në sallën e Kuvendit entuziazmin e  deputetëve të mazhorancës, entuziazëm ku nuk fshihej ankthi nga rezultati i votimit.

Zyrtarisht mazhoranca qeverisëse e kryeministrit Sali Berisha ka 73 deputetë. Kaq ishin edhe votat që rezultuan pro kandidaturës presidenciale të Bujar Nishanit nga 76 deputetë që morën pjesë në votim.
                  
Të kujt janë 3 votat jo në favor të Bujar Nishanit? Duke qenë se opozita, e pranishme në sallë, nuk mori pjesë në votim, në këtë llogari ajo nuk përfshihet. Po kështu edhe Dritan Prifti, që pavarësisht se i mbajtur në distancë nga socialistët deklaroi se do të mbajë të njëjtin qëndrim me ta.

I vetmi opozitar që mori pjesë ishte kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili, me një xhest publik, hodhi fletë votimi bosh në kuti.

Se kujt i përkasin dy votat e tjera, njëra e pavleshme, si e zotit Dule dhe tjetra kundër, këtu vetëm mund të spekulohet.

Gazmend Oketa kishte deklaruar më herët se do të votonte vetëm një president konsensual. Dhe Bujar Nishani nuk është i tillë.

Kastriot Islami, i përjashtuar nga grupi socialist kishte deklaruar më herët se ai do të maksimalizonte votën e tij. A është maksimalizim një votë e pavlefshme apo një votë kundër Nishanit? Kjo do të mbetet e pasqaruar. Po ashtu edhe domethënia e buzëqeshjes së tij dhe shkeljes së syrit për kryeministrin Berisha. A mund të jenë këto dy vota nga mazhoranca? Nga aleatët apo nga Partia Demokratike?

Hamendësimet janë të ndryshme, por ajo që dihet me siguri është se 1 orë përpara votimit, një orë përpara se Ilir Meta të shkëmbente një dialog të shkurtër me kryeministrin, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Sali Berisha u ka kujtuar deputetëve të tij zgjedhjet e parakohshme.

Top Channel ka mësuar se kryeministri ka shprehur bindjen se nuk do të ketë rrjedhje nga demokratët, por nëse kjo do të ndodhte, ai ishte i gatshëm të kryente brenda ditës edhe votimin e pestë, pika që sipas Kushtetutës ndante vendin nga zgjedhjet e parakohshme.

Mesa duket, ky paralajmërim i kryeministrit, i bërë për herë të parë, që nga nisja e procedurave për zgjedhjen e presidentit, ka funksionuar. Bujar Nishani u zgjodh President me 73 vota pro, nën heshtjen e opozitës dhe nën vëzhgimin e ambasadorëve.

Në sallë mungoi ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu dhe ai i OSBE-së Eugen Volfarth. Por ky i fundit, lëshoi menjëherë një mesazh urimi për zgjedhjen e Bujar Nishanit President. Ndërsa Arvizu, preferoi jo pa qëllim dhe në mënyrë demonstrative ta kalonte pasditen duke parë një tjetër ndeshje, atë të futbollit Angli-Francë në një nga lokalet e bllokut në Tiranë.

Mbërritja deri këtu e Bujar Nishanit ishte vërtetë surprizë për të gjithë. Madje edhe për kryeministrin Sali Berisha, që, ndoshta, deri mesditën e 11 qershorit, nuk e kishte besuar as vetë përmbushjen e profecisë së tij se president do të jetë një nga anëtarët e kryesisë së Partisë Demokratike. Kësaj profecie iu ndryshua vetëm emri i Presidentit.

Ambasada e SHBA, uron Nishanin

Në mbrëmje vonë, e fundit ka reaguar ambasada e Shteteve të Bashkuara që në një deklaratë të shpërndarë shprehet se i përcjell urime të ngrohta Z. Bujar Nishani për zgjedhjen e tij sot si President i Republikës së Shqipërisë.

Në postin e tij aktual dhe ato të mëparshme qeveritare, Z. Nishani ka shërbyer në mënyrë të respektueshme dhe të përgëzueshme, si dhe ka bërë shumë për të çuar përpara marrëdhëniet e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

SHBA i urojnë suksese Z. Nishani dhe presin me kënaqësi të punojnë me të për të çuar përpara arritjet demokratike të fituara gjatë 21 viteve të shkuara.

Në veçanti, do të mbështesim përpjekjet e tij për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të ruajtur pavarësinë e institucioneve të Shqipërisë, dhe së bashku me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, për të realizuar aspiratat legjitime të popullit shqiptar për ta parë vendin të marrë vendin që i takon si një anëtar i integruar plotësisht në bashkësinë Euro-Atlantike, thuhet në deklaratë.

Brukseli: Zgjedhja e presidentit, një katastrofë

Brukseli zyrtar është shprehur i zhgënjyer nga mënyra se si është zgjedhur presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë.

Ende nuk ka një reagim zyrtar nga Bashkimi Evropian, por burime konfidenciale kanë deklaruar se diplomatët e Unionit kishin pritshmëri më të mëdha për këtë proçes kaq të rëndësishëm.

“Zgjedhja e presidentit ishte një katastrofë për integrimin. Pritshmëritë e diplomatëve evropianë për proçesin ishin më të mëdha. Nuk u plotësua një nga kushtet për integrimin në BE”, kanë deklaruar burimet.

Urime nga Bamir Topi dhe Ettore Sequi

Ndonëse i sapozgjedhur, zoti Nishani është përshëndetur nga presidenti në ikje i Republikës, Bamir Topi i uroi suksese në detyrën e lartë të kreut të shtetit.

Ndërsa nga faktori ndërkombëtar, ambasadori i Bashkimit Evropian, Ettore Sequi i ka uruar atij punë të mbarë në këtë detyrë të rëndësishme.

“Roli i presidentit në konsolidimin e pavarësisë së institucioneve shtetërore dhe për të ndihmuar vendin në bashkimin e përpjekeve, do të jetë me rëndësi vendimtare për Shqipërinë, për të përballuar me sukses sfidat e saj drejt Bashkimit Europian”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

OSBE përshëndet zgjedhjen e Presidentit të ri

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth, mirëpriti zgjedhjen e Bujar Nishanit në postin e Presidentit të Shqipërisë.

“Zgjedhja e z. Nishani si president i ardhshëm i Shqipërisë është lajm i mirë. Ne e çmojmë punën e vendosur të ministrit për shtetin e së drejtës, në projekte të shumta me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri”, deklaroi Wollfarth.

“Unë jam i bindur se dija e tij e thellë dhe përvoja e gjerë do të bëjnë që ai t’i shërbejë vendit të tij në mënyrën më konstruktive”, vijoi ambasadori.

Meta: Zgjedhja e Nishanit, tepër korrekte

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta e ka vlerësuar si “tepër korrekte” zgjedhjen e Bujar Nishanit si president të ri të Republikës dhe që sipas tij ka konfirmuar konsolidimin e mazhorancës qeverisëse.

“Ka qënë një zgjedhje tepër korrekte. Maxhoranca ka treguar që është tepër solide. Proçesi ka qenë transparent si asnjëherë tjetër, vullneti ynë për konsensus ka qënë i jashtëzakonshëm dhe përpjekjet tona kanë qenë të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Meta.

Meta ka shprehur keqardhjen e tij që personalitete të shquara jashtë politikës, të cilat u kërkuan për t’i shërbyer shtetit, u shantazhuan, u sulmuan në mënyrë të padrejtë e të pandershme dhe u paragjykuan.

“Ndaj edhe kjo garë në fund të fundit u kthye brënda politikës dhe absolutisht që sot kemi zgjedhur një koleg tepër të nderuar sikurse është zoti Nishani”, ka vlerësuar Meta, i cili ka shtuar se edhe opozita duhet të jetë e kënaqur.

“Mendoj që edhe opozita duhet të jetë e kënaqur për arsye se është një nga ministrat që ka qënë më konstruktiv dhe më bashkëpunues në marrëdhëniet me opozitën. Absolutisht ky proçes nuk ka përse të bëhet pengesë për marrjen e statusit të vendit kandidat”, ka shtuar Meta.

Nano uron Nishanin

Në deklaratën post-zgjedhjes së Bujar Nishanit, ish-kryeministri dhe ish-kandidati i vetëofruar për president, Fatos Nano theksonte se sot më shumë se kurrë shqiptarët kanë nevojë të bashkohen e presidenti i ri Bujar Nishani, sipas tij më tepër se kurrë duhet të simbolizojë unitetin kombëtar.

Me këtë rast ish-kryeministri Fatos Nano i ka shprehur urimet zotit Nishani duke vlerësuar në të njëjtën kohë procesin e votimit në Kuvend që sipas tij ka qenë plotësisht transparent. Në përfundim të deklaratës, thuhet se Levizja Nano e konsideron të mbyllur misionin e saj dhe se për më tutje do të njoftohet gjithcka tjetër.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA