Takimi i kryeministrit Sali Berisha me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama për presidentin e ri të vendit është fiksuar në orën 19:00 të ditës së sotme, për shkak të festimeve në Prizren me rastin e 134 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Por Rruga e Kombit, që e lidh Prizrenin me Tiranën për më pak se 3 orë, do t’i japë mundësi kryeministrit të jetë në Tiranë në kohë për të bërë edhe një takim me aleatët e tij, Ilir Metën, Shpëtim Idrizin e Fatmir Mediun. Ilir Meta do ta shoqërojë në takimin e orës 19:00, ku do të jetë i pranishëm edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi.

Nga krahu tjetër do të jetë Edi Rama dhe kryetari i grupit socialist Gramoz Ruçi. Për këtë format u ra dakord dje në mbrëmje gjatë takimit përgatitor që Gramoz Ruçi pati me Astrit Patozin. Takimi i orës 19.00 do zhvillohet vetëm 15 orë përpara hapjes së seancës së katërt të votimit për Presidentin e ri të vendit.

Palët do të ulen në këtë takim trepalësh në Kryesinë e Kuvendit në një kohë kur kandidati jo zyrtar i mazhorancës, Xhezair Zaganjori ka deklaruar se nuk është më i disponueshëm për votimin e katërt.

Kryesocialisti Rama e përshëndeti tërheqjen e Zaganjorit duke thënë se tashmë palët janë shumë afër gjetjes së një konsensusi. Në mbledhjen e fundit të kryesisë së Partisë Socialiste u vendos qëndrimi në të njëjtën linjë, pra përcaktimi i modaliteteve për zgjedhjen e presidentit të ri dhe më pas gjetja e një emri.

Në takimin e sotëm tepër vendimtar pritet të jetë edhe kreu i LSIs-së. Ky takim trepalësh do të jetë vendimtar nëse vendi do ketë një president të pranuar nga të gjithë apo vetëm nga mazhoranca, e cila në fakt tani, në raundet e katërt e të pestë, i ka 71 votat e nevojshme për ta zgjedhur.

Sipas Kushtetutës, president mund të zgjidhet çdo person mbi 40 vjeç, që ka jetuar 10 vitet e fundit në Shqipëri. Por, sipas afateve maksimale që parashikon Kushtetuta, Presidenti, me apo pa konsensus, duhet të zgjidhet deri të hënën e ardhshme, më datë 17 qershor.
 
Presidenti, Berisha: Jam optimist

Ndërkohë lidhur me këtë takim ka folur paradite kryeministri Sali Berisha.

I ndodhur në Prizren në ceremoninë e 134 vjetorit të Lidhjes shqiptare, kryeministri Berisha i pyetur nga Top Channel për pritshmërinë e takimit të sotëm për zgjedhjen e presidentit, u mjaftua vetëm me një përgjigje të shkurtër.

“Unë pritshmëritë i kam gjithmonë pozitive”, u shpreh z. Berisha.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA