”Shtrirja e dorës”, mbështetje për Spanjën

10/06/2012 08:50

Vendimi i Spanjës për të kërkuar 100 miliardë euro hua nga fondet e Eurozonës për të ndihmuar ekonominë në vështirësi ka gjetur një mbështetje të fortë ndërkombëtare.

Fondi Monetar Ndërkombëtar u shpreh se kredia do të ishte e mjaftueshme për të rikthyer besueshmërinë në sistemin bankar spanjoll.

Nga ana e tij, edhe Uashingtoni mikpriti këtë hap, duke e konsideruar si “thelbësor” drejt “bashkimit financiar” të vendeve që përdorin monedhën e përbashkët.

Vendimi i Madridit për t’i “shtrirë dorën” BE-së u mor gjatë një mbledhje urgjente të kabinetit, ditën e shtunë.

Duke komentuar këtë lëvizje, kryetarja e FMN-së, Christine Lagarde, u shpreh se tashmë vendi “duhet të japë garanci se do të përmbushë kriteret e huasë madhore, në mënyrë që rikapitalizimi i ekonomisë të përfundojë me sukses të plotë.

”E mirëprita fuqimisht deklaratën e Eurogrupit, i cili lavdëroi masat e marra nga autoritete spanjolle për forcimin e sistemit bankar në javët e fundit. FMN është e gatshme, nëse do t’i kërkohet asistencë nga Eurozona, që të mbështesë zbatimin dhe mbikqyrjen e reformave nëpërmjet raportimeve të rregullta”, tha Lagarde.

Sekretari Amerikan i Thesarit, Timothy Geithner, e mirëpriti gjithashtu lëvizjen duke thënë se ajo “përbën një arritje të rëndësishme për shëndetin e ekonomisë spanjolle dhe ndërmerr një hap të qartë drejt bashkimit financiar, i cili është vendimtar për mbijetesën dhe qëndrueshmërine e zonës euro”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA