Rusia do të vazhdojë të kundërshtojë në Këshillin e Sigurimit çdo përpjekje për të ndërhyrjë ushtarakisht në Siri, deklaroi Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov.
Në deklaratën e tij, Lavrov bëri thirrje për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për të diskutuar krizën siriane, ndërsa theksoi qëndrimin e Qeverisë Ruse, se e vetmja zgjidhje e pranueshme është ajo që vjen nga zbatimi i planit të paqes së negociuar më parë me ndihmën e Kofi Annan.
Në këtë kuadër, Lavrov shtoi se çdo përpjekje për të ulur Rusinë në tryezën e bisedimeve për ta bindur për nevojën e një ndërhyrje ushtarake është e kotë, pasi “Rusia nuk ka ndërmend të ulet në asnjë rrethanë për të diskutuar rreth një zgjidhje të tillë”.
Ministri i Jashtëm shtoi se për Moskën nuk është një kusht qëndrimi i presidentit Bashar al-Assad në pushtet dhe se Rusia është e gatshme të pranojë largimin e tij, por vetëm nëse do të jenë sirianët ata që do të vendosin kështu.
Ndërkohë, ditën e dielë, Këshilli Kombëtar Sirian, organi kryesor që po udhëheq lëvizjen kryengritëse, zgjodhi një aktivist kurd si presidentin e tij të ri.
Zhgjedhja e Ablelbasset Sidës u bë gjatë një takimi të organizuar në Stamboll.
Sida, i cili pason Burhan Ghalioun, tha për “BBC” se synon të ristrukturojë lëvizjen rebele dhe se do të punojë për të unifikuar qëndrimin e të gjithë grupimeve të opozitës.
Ndërkohë, sipas aktivistëve, më shumë se 80 persona mbetën të vrarë në vend ditën e shtunë, duke çuar në rreth 15 mijë numrin e personave që kanë vdekur që prej fillimit të trazirave në mars 2011.
Top Channel