Ministrat e Financës së eurozonës do të mbajnë gjatë së shtunës një konferencë ku do të diskutojnë për ndihmën për bankat spanjolle, ka mësuar BBC.
Burime pranë BE-së deklarojnë se Madridi zyrtar mund të kërkojë zyrtarisht asistencë financiare për bankat e tij këtë fundjavë.
Deri tani Spanja ka mohuar zërat se ndodhet pranë një njoftimi të mundshëm për shpëtimin e institucioneve të saj bankare.
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se bankave spanjolle u duhet një injektim në para të thata prej të paktën 40 miliardë eurosh.
FMN tha të premten se “testi i stresit” tregoi se sektori financiar iberik është menaxhuar mirë, por mbetet i cënueshëm.
Përgjigjia e konferencës së ministrave të Financave të eurozonës do të vijë më vonë gjatë ditës së shtunë, njofton më tej BBC.
Ndërkohë, në një intervistë për radion portugeze, nëndrejtori i Bankës Qendrore Evropiane, Vitor Constancio tha: “Pritet që Spanja të formulojë një kërkesë për ndihmë, ekskluzivisht për rikapitalizimin e bankave”.
“Duhet të tregohet hapur vullneti për të pasur një program të tillë për bankat spanjolle dhe kjo është mirë që të ndodhë shpejt”, ka shtuar Constancio.
Top Channel