Sulm me bombë në Pakistan, 18 viktima

08/06/2012 21:20

Të paktën 18 të vrarë e 34 të plagosur është bilanci i një sulmi me bombë në veri-perëndim te Pakistanit, shënjestra e të cilit ishte një autobus me punonjës qeveritarë.

Shpërthimi ndodhi në periferinë e Peshauarit, në kohën kur personat në bordin e mjetit po i drejtoheshin zyrave të tyre të punës. Bombat besohet se ishin vendosur në rrugë dhe janë komanduar në distancë.

Pjesa e pasme e autobusit duket se ishte ajo që hasi në eksploziv, e pas kësaj mjeti ka vazhduar të tërhiqet zvarrë për disa  metra.

Peshauari ndodhet shumë pranë brezit fisnor të Pakistanit, një fortesë e hershme e talebanëve dhe militantëve të Al Kaedës, ku forca e ligjit nuk ekziston.

Me qindra vetë kanë gjetur vdekjen nga sulmet brenda dhe përreth këtij qyteti vitet e fundit. Deri tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për episodin e sotëm, i cili vjen vetëm një ditë pas shpërthimit që mori 15 jetë njerëzish në qytetin e Kuetës.

Mes viktimave janë edhe të paktën 4 fëmijë e disa gra. Nuk dihet nëse në radhët e të vdekurve ka pasur edhe kalimtarë të rastit.

Talebanët janë mjaft aktivë në këtë pjesë të vendit, por kanë ndërmarrë sulme edhe në zona të tjera të Pakistanit në vazhdën e një rebelimi të përgjakshëm që synon përmbysjen e qeverisë, pjesërisht edhe për shkak të aleancës së saj me Shtetet e Bashkuara.

Ushtria pakistaneze është kundërpërgjigjur, por ka patur probleme me pastrimin e disa rajoneve, sidomos atyre fisnore nga militantët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA