Kryetari i PS, Edi Rama në deklaratë për shtyp të mbajtur pasditen e së premtes lidhur me çështjen e presidentit, ka vlerësuar me nota negative djegien e raundit të tretë, ndërsa nga ana tjetër ka shprehur gatishmërinë e opozitës për konsensus pas tërheqjes së Xhezair Zaganjorit.
“Seanca e paradites së sotme, e shoqëruar me retorika të papërshtatshme, dhe djegia e raundit të tretë nuk ishin një ogur i mirë për raundin e katërt”, ka deklaruar Rama, duke shtuar:
“Tërheqja e kandidatit jokonsensual hap rrugën e konsensusit dhe i jep opozitës mundësinë për të konfirmuar qëndrimin e saj”.
Lideri i opozitës është shprehur i gatshëm të të japë konsensusin për një kandidaturë, që sipas tij duhet identifikuar përmes një dialogu gjithëpërfshirës.
“Nëse çdo palë ka të njëjtin vullnet, atëherë janë të gjitha mundësitë që kështu të ndodhë dhe zgjedhja e presidentit me konsensus të kthehet në një shprehje e aftësisë së Shqipërisë për të ecur drejt statusit të kandidatit”, ka theksuar Rama.
Lideri i opozitës ka siguruar atë të mazhorancës se, opozita në këtë proçes ka vetëm një interes, prioritetin e Shqipërisë më 11 tetor në Bruksel.
“Kemi vetëm një qëllim, një kandidaturë që të marrë konsensus sa më të gjerë në Kuvendin e shqipërisë, pa lejuar që Shqipëria të ndodhet mes të panjohurave, në rast mbetjeje në provimin e vjeshtës, për herë të tretë brenda vitit”, ka thënë Rama.
“Të bëjmë që Shqipëria, me mbështetjen e presidentit të ri, t’i drejtohet familjes evropiane para përfundimit të sesionit parlamentar për ta marrë statusin e kandidatit. Vetëm të bashkuar mund t’ia dalim mbanë kësaj çështjeje komplekse”, ka vijuar ai.
Rama me aleatët: Tani kandidati nga opozita
Pak më herët kreu i PS zhvilloi një takim me aleatët, ku u diskutua pikërisht për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Kreu i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, duke folur pas takimit nënvizoi se e drejta e propozimit të kandidatit tashmë i takon opozitës.
“Berishës s’i lejohet më propozimi nëse flitet për konsensus. Tani të drejtën e propozimit të kandidatit e ka opozita”, deklaroi Ngjela.
Ngjela, partia e të cilit nuk përfaqësohet në Parlament, vijoi duke nënvizuar se, opozita është në funksion të konsensusit, siç është kërkuar dhe nga ndërkombëtarët.
Top Channel