Shtrenjtohet huamarrja për Spanjën

07/06/2012 16:30

Kostoja e huamarrjes për Spanjën vazhdon të shtrenjtohet, ndërsa pasiguria e sistemit bankar në vend i ka bërë investitorët që të jenë gjithmonë e më të kujdesshëm në investimin e parave të tyre në vendin iberik.

Ditën e enjte, vlera e letrave 10-vjeçare me vlerë u rrit në 6,04%, nga 5,74% që u shitën në prill, duke u afruar gjithmonë e më shumë me kufirin e rrezikshëm të 7%.

Besimi i investitorëve rreth ekonomisë spanjolle nuk është përmirësuar as pas deklaratave shpresëdhënëse të Madridit zyrtar, që deklaroi më parë gjatë javës se nuk do të jetë e nevojshme një hua madhore nga Bashkimi Europian dhe FMN për të tejkaluar krizën e rëndë të financave publike.

Sipas ekspertëve, shtrenjtimi në huamarrje për Spanjën nuk lidhet vetëm me arsye të brendshme, pasi ka edhe disa faktorë të rëndësishëm të jashtëm, siç ishte deklarata e autoriteteve kineze, që gjatë së enjtes informuan se do të reduktojnë investimet e tyre në Eurozonë, nga frika e shpërbërjes së monedhës së përbashkët euro.

Gjatë ditës, në një takim në Bruksel, Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, kërkoi një bashkim më të fortë politik midis vendeve të Europës, ndërsa kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, kërkoi që të merren masa të menjëhershme.

Ndërkohë, të enjten, pozitat e Eurozonës u goditën edhe më shumë nga zërat se një tjetër vend anëtar, Qipro, është pranë kërkimit të një huaje të madhe ndërkombëtare për shkak të rënimit të financave publike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA