Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup krasniqi ka rikonfirmuar qëndrimin
e tij kundër ndarjes së vendit, apo shkëmbimit të territoreve me
Serbinë.

Sipas tij, një ndarje e mundshme e shtetit të ri do të shkaktonte një reaksion zinxhir që do të përhapej në Ballkan e në mbarë kontinentin e vjetër.

“Çfarëdo tendence për ndryshimin e kufijve të Kosovës, nuk do të ndalej vetëm me Kosovën, por do të prekte edhe vendet e tjera evropiane”, citohet Krasniqi nga “RTK”.

Kryeparlamentari ka nënvizuar se, në të gjithë Evropën ka kufij që nuk janë të pranueshëm për të gjithë dhe për rrjedhojë opsioni i ndryshimit të tyre duhet eleminuar.

Muajin e kaluar Krasniqi i kërkoi Bashkimit Evropian që t’i bëjë presion Beogradit për të shpërbërë strukturat ilegale në veri të Kosovës.

“Nëse ky presion do të bëhet, atëherë Serbia do të jetë e detyruar të heqë dorë nga të gjitha politikat destabilizuese ndaj Kosovës”, deklaroi Krasniqi.

Ndërkohë, kundër ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve u shpreh një ditë më parë edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë vizitës në Zagreb.

“Nuk do të ketë ndarje të Kosovës, apo të Serbisë, si dhe nuk do të ketë shkëmbim të territoreve”, theksoi zonja Jahjaga pas takimit me homologun kroat, Ivo Josipoviç.

Top Channel