Itali, debate për emigracionin

07/06/2012 02:15

Këto ditë në Itali është debatuar sërish çështja e njohjes së shtetësisë italiane për emigrantët e brezave të dytë, pra ata të huaj që kanë lindur në Itali ose që kanë ardhur këtu fare të vegjël.

Gjatë një intervistë dhënë revistës Famiglia Crisitiana kryeministri Mario Monti tha se i është besuar drejtimi i vendit për ta nxjerrë atë nga kriza ekonomike dhe se drejton një qeveri me horizont të kufizuar.

“Nëse do të zgjidhnim këtë problem të fëmijëve të emigrantëve dhe si rrjedhojë do të çonim në rënien e qeverisë dhe të mos ishim në gjendje të çonim Italinë në një fazë rimëkëmbjeje ekonomike, mund të isha brenda vetes moralisht i kënaqur, por do ta konsideroja të dështuar mandatin tim”, tha Mario Monti.

Ndërsa kryeministri duket se nuk ka ndër mend të bëjë presion mbi këtë temë, qëndrim të ndryshëm shpreh ministri për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Integrimin, Andrea Riçardi. Ai deklaroi se megjithëse koha që ka mbetur është e pakët, shpreson që të ketë mbështetjen e të gjitha forcave politike për të ndryshuar ligjin.

Të njëjtin qëndrim të favorshëm për ndryshimet që duhet të diskutohen në Parlament në fund të qershorit, ka shprehur edhe kryetari i Dhomës së Deputetëve Gianfranco Fini. Ai thotë se është i pashmangshëm ndryshimi i ligjit, sepse është ant-historike të mendohet ende të qënit italian vetëm në bazë të mbiemrit apo ngjyrës së lëkurës. Fini është një nga dy hartuesit e ligjit tepër të rreptë për emigracionin ende në fuqi edhe sot e kësaj dite në Itali.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA