E ndërsa vendi përgatitet t’u drejtohet zgjedhjeve në një atmosferë të tensionuar politike, ku ekstremistët, si të djathtë ashtu dhe të majtë po fitojnë gjithnjë e më shumë terren elektoral, në Greqi papunësia shënon nivele të tjera rekordi.
Instituti Grek i Statistikave, ELSTAT publikoi të dhënat për papunësinë në muajin mars. Sipas këtyre të dhënave, 21.9 përqind e grekëve të aftë për punë, gëzojnë statusin e të papunit. Mbi 6 përqind e tyre kanë humbur vendin e punës brenda një viti, ndërsa pjesa tjetër është kontigjenti që ka mbetur mes katër rrugëve që nga nisja e recesionit të madh grek.
Në krahasim me muajin shkurt të po këtij viti, papunësia është rritur me 0.2 përqind. Në raportin e ELSTAT thuhet se rritja e papunësisë do të ketë këtë trend të paktën edhe për këtë vit, ndërsa vitin tjetër, nëse do të aplikohen masat shtrenguese ekonomike, rritja mund të ndalet e më pas të nisë rimëkëmbja e gjatë e ekonomisë.
Megjithatë, në kohën kur zërat për daljen nga eurozona të Greqisë sa vijnë e përforcohen, kur kompani kuotuese në bursë e banka ndërkombëtare kanë përfunduar ose janë duke përgatitur rikthimin e dhrahmisë, ulja e papunësisë mbetet problemi më i vogël për klasën politike greke, e përçarë dhe e pazonja të formojë një qeveri të paktën në zgjedhjet e fillimmajit.
Ndoshta për këtë duhet të presim edhe zgjedhjet e 17 qershorit, ku sipas sondazheve, konservatorët e Demokracisë së Re, socialistët e PASOK dhe forca të tjera pro-europiane mund të formojnë shumicën qeverisëse.
Top Channel