Kryeministri i Malit të Zi, Igor Luksic, është vendosur në shënjestër të mediave vendase, pasi u bë protagonist i një gafe diplomatike me Suedinë.
Në një mesazh drejtuar Stokolmit zyrtar në festën kombëtare të themelimit të mbretërisë, Luksiç uronte për mirëqënie dhe begati për të gjithë kombin danez.
Sipas mediave malazeze, Luksic i adresoi homologut të tij suedez një telegram urimi ku lexohej: “Me rastin e 6 qershorit, ditës së themelimit të Mbretërisë Suedeze, në emër të qeverisë dhe popullit të Malit të Zi dhe në emrin tim personal, dua të shpreh përgëzimet e mia më të sinqerta dhe urimin që marrëdhëniet e ardhshme me Danimarkën, qofshin ekonomike, politike dhe shoqërore, të thellohen më tej”.
Në një komunikatë, Podgorica informoi se e kishte korrigjuar gabimin e saj, por sipas mediave vendase, gafa të tilla janë bërë shqetësuese sepse ndodhin shpesh dhe dëmtojnë rëndë reputacionin e shtetit në sytë e ndërkombëtarëve.
Së fundmi, kryetari i Parlamentit Malazez, Ranko Krivokapic, uroi banorët e Ulqinit për një festë lokale në datën 4 prill, ndonëse festa e qytetit ishte 7 prilli.
Top Channel