Rreth 650 të burgosur në burgun e Dubravës hynë në grevë urie. Kjo për shkak të mungesës së ligjit për amnesti.

Lajmin e bëri të ditur këshilli i grevistëve në këtë burg, përmes një komunikate për media në të cilën thuhet se:

“Mungesa e ligjit për amnesti, me gjithë premtimet e qeverisë së Kosovës, ka shkaktuar pakënaqësi dhe zhgënjim tek të gjithë të burgosurit”.

Këshilli grevist i burgut të Dubravës paralajmëron se nuk do të ndalë grevën deri në realizimin e të drejtave për të burgosurit, të cilët nëpërmjet ligjit kërkojnë t’u lehtësohet vuajtja e dënimit.

“Shpresojmë në drejtësi, por edhe në përkrahjen e mediave të shkruara dhe elektronike, sepse kanë një rëndësi të veçantë në kalimin e informacioneve tek organet kompetente dhe tek qytetarët, por mbi të gjitha tek hartuesit e ligjeve, të cilët vet i hartojnë dhe vet i hedhin poshtë, dhe nuk i fusin në rend të ditës”, thuhet në komunikatë.

Në burgun e Dubravës vuajnë dënimin rreth 1000 të burgosur, rreth 650 prej të cilëve kanë filluar grevën e urisë.

Top Channel