Këshilli i Bashkimit Europian vendosi zgjatjen edhe me dy vite të tjera të misionit për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, duke e zhvendosur afatin deri në 14 qershor të 2014-ës.

Vendimi u mor ditën e martë dhe u përcaktua gjithashtu edhe akordimi i 111 milion eurove, fonde për këtë strukturë në përmbushjen e detyrave të saj për një vit.

“Në të ardhmen gjithmonë e më shumë do t’u kalohen përgjegjësi e pushtet autoriteteve të Kosovës”, deklaroi Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, baronesha Catherine Ashton.

Gjithashtu Kåshilli vendosi edhe shkurtimin me 25 përqind i personelit të EULEX që do të zbresë nga 3100 që është aktualisht, në 2250.

EULEX kundër strukturave paralele

EULEX i ka cilësuar të papranueshme kushtëzimet që strukturat paralele serbe i  kanë vënë këtij misioni në lidhje me ndalimin e lëvizjes së lirë në Veri të Mitrovicës.

Ky mision i ka paralajmëruar këto struktura se do të ballafaqohen me ndjekje penale, nëse përpiqen të pengojnë lirinë e lëvizjes dhe qarkullimit për pjesëtarët e EULEX-it.

“Bllokimi i rrugëve, sulmi ndaj zyrtarëve të Bashkimit Europian dhe ushtarëve të KFOR-it, si dhe nxitja e drejtpërdrejtë apo e tërthortë për dhunë, janë vepra të paligjshme dhe si të tilla mund të çojne deri tek arrestimi apo ndjekja penale e personave të përfshirë”, ka thënë për Radion Europa e Lirë, zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.

Me këtë rast, misioni i EULEX-it, i ka rikujtuar se “duhet të ketë liri të lëvizjes së pakushtëzuar në gjithë territorin e Kosovës, e veçanërisht në Veri”.

Top Channel