
Në rajonin kaukazian janë ngritur tensionet mes Azerbajxhanit dhe
Armenisë, pas një seri ngjarjesh të verifikuara në kufirin mes dy
vendeve.
Ministri i Mbrojtjes i Azerbajxhanit ka akuzuar Armeninë se ka vrarë pesë ushtarë të tij në kufi, një ditë pas vrasjes së tre armenëve.
“Sabotatorët armenë vranë katër ushtarë në një incident të vetëm dhe një të pestë në një episod tjetër”, ka deklaruar Ministria e Mbrojtjes në Baku.
Ndërkohë, nuk ka pasur ende një koment zyrtar nga ana e Armenisë, që zhvilloi një luftë me fqinjin e saj në fillim të viteve ’90.
Gjatë një vizite në rajonin kaukazian, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ka bërë thirrje për përmbajtje. Ajo mbërriti në Gjeorgji ditën e martë nga Armenia, ndërkohë që në Azerbaixhan do të ndalet ditën e mërkurë.
Armëpushimi zyrtar mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, i arritur që kur nisi lufta mes tyre për rajonin e diskutueshëm Nagorno-Karabak, duket se është tejmase i brishtë.
Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Bakut thuhet se, “grupi sabotator armen tentoi të depërtonte në pozicionet ushtarake azerbaixhanase rreth orës 06:30 të së martës, në fshatin Askipara, në perëndim të vendit”.
“Megjithatë, ata morën disa jetë dhe më pas u tërhoqën”, nënvizohet më tej në komunikatë, në të cilën saktësohet se katër ushtarë humbën jetën në shkëmbim zjarri, ndërsa i pesti në një incident tjetër në Rajonin Kazaks.
Ndërkohë, gjatë vizitës së të hënës në Armeni, shefja e diplomacisë amerikane Hillary Clinton paralajmëroi se përplasjet kufitare mes dy vendeve mund të përshkallëzohen.
Top Channel