Policia e Kosovës ka konfiskuar targat serbe të një automjeti, si dhe
lejen e qarkullimit të një banori në lagjen e Tre Rrokaqiejve, në veri
të Mitrovicës.

“Më kanë marrë lejen e qarkullimit dhe targat e automjetit, me arsyetimin se nuk mund të qarkulloj më në këtë territor pa targa të Kosovës”, ka deklaruar banori serb Vitomir Jokiç, nga Grabovci.

Ndërsa zëdhënësi i policisë rajonale të Mitrovicës, Besim Hoti, i cituar nga “Kosova Press”, ka thënë se afati kohor i paralajmërimit për targat ka kaluar. “Policia e Kosovës, në bashkëpunim me EULEX-in, do të zbatojë vendimin e qeverisë për targat edhe në veri të vendit”, ka deklaruar Hoti.

Nga e shtuna, kur dhe ka hyrë në fuqi vendimi për konfiskimin e të gjitha targave të vjetra, policia ka konfiskuar një numër shumë të ulët të targave. Sipas policisë, tashmë është rritur ndjeshëm edhe numri i qytetarëve serbë të cilët kërkojnë të pajisen me targa kosovare.

“Deri tani nuk ka pasur shumë raste. Nga informacionet që kemi marrë, ditët e fundit është rritur numri i serbëve për t’u pajisur me targat KS dhe RKS. deri tani janë tre raste që janë ndalur dhe konfiskuar tabelat serbe”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu.

Ndaj këtij vendimi të qeverisë kosovare reagoi Borko Stefanoviç, kryenegociatori serb për bisedimet Kosovë-Serbi, i cili tha se ky vendim paraqet keqpërdorimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, gjë që është mohuar nga Prishtina zyrtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA