Presidenti i Parlamentit Europian kërkoi që Shqipëria të zgjedhë një president të denjë, të pranueshëm nga vendi dhe nga komuniteti ndërkombëtar. Pas takimit në Bruksel me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, Martin Schulz u ndal gjerë e gjatë tek çështja e Presidentit.
”Ne shpresojmë se zgjedhja e Presidentit do të ketë një rezultat të pranueshëm për vendin dhe për komunitetin ndërkombëtar. Nevojitet zgjedhja e një presidenti që përfaqëson gjithë vendin në një kohë me kaq probleme. Ne shpresojmë se vendi do të gjejë një president, duke marrë paraysh ndikimin e madh që do të ketë ai për gjyqësorin në vend. Kjo zgjedhje luan një rol madhor për kredibilitetin e Presidentit brenda vendit, dhe në bazë të këtij kredibiliteti, edhe për besueshmërinë në botën e jashtme. Le të shohim në kohë, e përsëris, zgjedhjen e një presidenti të denjë për Shqipërinë”, tha Schulz.
Pas kapërcimit të afatit të 24 majit, ministri Haxhinasto nënvizoi rëndësinë e përfundimit të reformave zgjedhore dhe parlamentare, të cilat, me nisjen e procesit të zgjedhjes së presidentit, kryeministri Berisha i ka cilësuar ultimatume dhe kushte të opozitës.
”Nga zoti Schulz vjen inkurajimi që të kapërcejmë kilometrin e fundit, të përmbyllim reformën zgjedhore dhe atë të rregullores së Parlamentit dhe sigurisht të zhvillojmë një proces zgjedhjeje pa pengesa të Presidentit që të reflektojë këtë klimë të re politike në Shqipëri”, deklaroi Haxhinasto.
Një temë tjetër e diskutimeve ishin zhvillimet e fundit në rajon, në Greqi, Maqedoni e Kosovë. Për Shqipërinë, përveç reformave të nëntorit dhe zgjedhjes së Presidentit, Schulz nënvizoi se asnjë kriter nuk zëvendëson kriteret e tjera të vëna nga BE, për të shpresuar marrjen e statusit kandidat.
Top Channel