Ka dështuar mbajtja e takimit të dytë ndërmjet liderëve të subjekteve politike, e thirrur enkas për disa çështje të reformës zgjedhore në Kosovë për të cilat nuk është arritur dakordim deri më tani.

Kryeministri dhe njëherësh lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk erdhi në takim as pas 30 minutash ku po prisnin kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ambasadori britanik Ian Cliff, e të tjerë.

Sipas përfaqësuesit të PDK-së në komisionin kuvendor për reformë zgjedhore, Halit Krasniqi, shkak për këtë është se ftesa nga Kuvendi nuk ka shkuar fare në Kryeministri.

Sidoqoftë, çështjet që deri më tani subjektet politike nuk janë dakorduar, kanë të bëjnë me atë se në sa zona zgjedhore duhet të ndahet Kosova, si do të jenë listat e kandidatëve për deputetë (të hapura apo të mbyllura), sa do të jetë pragu zgjedhor, dhe si do të bëhet shpërndarja e ulseve në Kuvend.

Në lidhje me këto çështje, drejtues të partive politike të përfaqësuara në Kuvend pritet që të paraqesin propozimet e tyre gjatë javës së ardhshme, për kur edhe u shty mbajtja e këtij takimi.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA