KiE, skaner për Shqipërinë

05/06/2012 00:00

Zbulohet raporti misionit faktmbledhës i raportuesve të Këshillit të Europës gjatë qendrimit të tyre në Tiranë në fillim të muajit prill dërguar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, një kopje e të cilit disponohet nga Top Channel.  

Reforma parlamentare dhe ajo zgjedhore, zgjedhja e presidentit të ri të republikës, heqja e imuniteteve dhe hetimi i vrasjes së 4 protestuesve në 21 janar, janë cështjet ku raportuesit krahas raportimit të fakteve të mbledhura në terren, paraqesin në raport edhe konkluzionet.

PRESIDENTI
Raportuesit e KiE-së në konkluzionin për zgjedhjen e presidentit të ri thonë se “zgjedhja e kreut të shtetit mund të luajë një rol të rëndësishëm në normalizimin e klimës politike në Shqipëri. Është e rëndësishme që procesi zgjedhjes së presidentit të mos kthehet në një burim tensioni dhe bllokimi politik. Forcat më të mëdha politike duhet të përpiqen për të mbërritur deri tek një marrëveshje konsensuale, ose të paktën në pranimin e përbashkët të një kandidature për postin e presidentit”.

Duke analizuar emrat e përfolur si kandidatë për t’iu paraqitur parlamentit vërejnë se Jozefina Topalli është një aleate e deklaruar e kryeministrit Berisha. Do të jetë e vështirë, thonë raportuesit që kandidatura e saj të gjej përkrahjen e PS dhe ka shumë gjasa që cilësohet nga socialistët si një provokim.

Ndërsa për Fatos Nanon në raport shkruhet se ai ka jetuar për një kohë të gjatë në Austri dhe se PS parimisht nuk e kundërshton kandidaturën e tij,  por ata nuk do ta propozojnë  atë si një kandidat të PS.

REFORMAT
Reporterët vërejnë se “Atmosfera konstruktive, të paktën kur nuk janë prezente kamerat, në komisionet ad hoc të reformës parlamentare dhe elektorale duhet të mirëpriten. Mekanizmi i korrektimit për proporcionalin rajonal në rezulatatin e zgjedhjeve tashmë është mbështetur nga të gjitha forcat politike  në Shqipëri. Sipas tyre ky ndryshim do të rriste shkallën e pluralizmit në parlament dhe duhet të mbështetet gjithashtu nga Asambleja e KiE-së.

IMUNITETI
“Në përshëndesim forcat politike kryesore në Shqipëri të cilat bien dakort në ndryshimet kushtetuese për të ndryshuar sistemin e imuniteteve”, thuhet në konkluzionin e raportuesve  për ndryshimet e kërkuara për heqjen e imuniteteve të zyrtarëve të lartë.

“Ndryshimet në sistem, theksojnë ata, janë në përputhje të plotë me standardet europiane dhe se vonesa të tjera për këtë cështje nuk duhet të jetë e pranueshme. Për sa më sipër ne përshëndesim pasjen e kësaj cështje si prioritare  nga Komisioni Europian”, theksojnë raportuesit e KiE-së.

21 JANARI
Sugjerimi i raportuesve të KiE-së për hetimin e ngjarjes së 21 Janarit lidhet me nevojën e bashkëpunimit të organizmave shtetëror dhe jo të kthehet në përgjegjësi individuale e aktorëve të përfshirë në hetim.  Raportuesit përcjellin edhe shqetësimin e shefes së akuzës shqiptare, Ina Rama e cila gjatë takimit me ta ka deklaruar se “përpjekjet e prokurorëve janë penguar dhe se pamjet e fiksuara nga kamerat e kryeministrisë në mënyrë ilegale janë fshirë.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA