Megjithë dhunën e fundit në veriun e Kosovës dhe plagosjen e radhës të ushtarëve të KFOR-it në barrikadat serbe, sekretari i përgjithshëm i NATO-s shprehu qëndrime mjaft të zbutura ndaj Serbisë.

Fillimisht, i pyetur për deklaratat e Beogradit se ishte NATO që provokoi dhunën e fundit, Anders Fogh Rasmussen sqaroi vetëm veprimet e KFOR.

“Pikë së pari, trupat tona vepruan për vetëmbrojtje. Së dyti, e lavdëroj mënyrën se si ushtarët tanë menaxhuan situatën. Dhe së treti, unë ju garantoj se KFOR-i do të vijojë të zbatojë mandatin e Kombeve të Bashkuara për të ruajtur një klimë të sigurtë dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes”, deklaroi Rasmussen.

Rasmussen shprehu keqardhje për dhunën dhe bëri thirrje për ndalimin e saj. Ndërkohë, deklaratat e presidentit të ri serb për Srebrenicën, Vukovarin, apo qëndrimet ndaj NATO-s, të cilën e ka cilësuar organizatë kriminale, nuk ndikojnë tek sekretari i përgjithshëm, i cili tha se nuk i beson raportimeve të mediave.

“Në lidhje me Srebrenicën është Gjykata e Hagës që është shprehur tashmë. Në përgjithësi e vëzhgojmë nga afër situatën, por unë vetë, megjithë respektin, nuk mbështetem në raportimet e mediave për deklaratat e presidentit të sapozgjedhur serb. Unë shpresoj se do të mund të vazhdojmë dialogun pozitiv që kemi patur me Serbinë”, theksoi Rasmussen.

Ndërkohë që Tomisllav Nikoliç pritet në Bruksel në mes të qershorit nga BE, në lidhje me Aleancën nuk dihet nëse do të ndodhë ndonjë vizitë e presidentit të ri, i cili gjatë fushatës pati deklaruar se Serbia nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO.

Të paktën dy ushtarë gjermanë të KFOR-it u plagosën gjatë përpjekjeve për të liruar rrugën që lidh Mitrovicën me pikën kufitare numëri 1 në Jarinjë.

Gjithçka ndodhi kur një aksion i forcave paqeruajtëse nisi mëngjesin e së premtes në fshatin Rudarë të komunës së Zveçanit, për të mundësuar lirinë e lëvizjes edhe në këto anë.

Burimet zyrtare shpjeguan për Top Channel se një kontigjent i KFOR-it gjerman po vinte nga Leposaviçi me synim largimin e barrikadës në fshatin Rudarë, ndërsa forca të tjera ishin stacionuar te vendi i quajtur Kërshi i Dudës.

Por diçka e tillë hasi në rezistencën e ashpër të qindra serbëve, të cilët u mblodhën për të kundërshtuar veprimet e KFOR-it dhe në përleshjen me të, tre banorë mbetën të plagosur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA