Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi i ka bërë thirrje qeverisë Thaçi që të ketë kujdes me politikën serbe, duke qenë se jo pak herë ajo ka zgjedhur opsionin e dhunës.
“Ne e dimë që politika serbe është përpjekur për dekada të tëra që në mënyrë selektive të krijojë shqiptarë të ndershëm dhe të pandershëm. Ne i dimë rezultatet e kësaj politike. Prandaj, politika shqiptare në asnjë formë nuk duhet të jetë në gjurmët e asaj serbe, e cila ka prodhuar vetëm dhunë”, ka deklaruar Krasniqi.
Sipas raportimeve të “RTK”, kryetari i Kuvendit i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të tregohet më i ashpër me Serbinë, në mënyrë që ta detyrojë atë të shpërbëjë strukturat paralele në veri të Kosovës.
Më tej Krasniqi ka vlerësuar me nota pozitive largimin e barrikadave serbe nga ana e KFOR-it dhe nismën e qeverisë për ngritjen e një Zyre Administrative.
Krasniqi është shprehur se, qeveria ka ndërmarrë një hap pozitiv në rrugën e implementimit të planit të Ahtisarit, që parashikon zgjidhjen më të mirë për veriun.
“Qeveria realisht ka marë një iniciativë për gjetjen e një zgjidhjeje pozitive dhe është në përpjekje që hap pas hapi të zbatohet dokumenti gjithëpërfshirës i Ahtisarit”, ka thënë Krasniqi.
Ai është shprehur edhe në favor të dialogut me serbët e veriut, duke nënvizuar se shteti i Kosovës duhet të bisedojë me të gjithë qytetarët e tij, në cilëndo pjesë qofshin ata.
Top Channel