Nëse takimi mes Sali Berishës dhe Edi Ramës do të kishte prodhuar emrin e një kandidati apo kandidateje, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë në mënyrë të fshehtë do t’i drejtoheshin këtë të hënë kutisë së votimit.
Për mos t’ia lënë rastësisë apo minutës së fundit, sekretariati për proçedurat dhe votimet në Kuvend, kishte prodhuar fletët e votimit dhe kishte gati përmbajtjen e proçesverbalit që supozohej të përdorej si në votimin e parë dhe në votimin e dytë.
Por cila është fleta e votimit? Shumë vetë ndoshta janë kurioz të dinë detajet. Top-Channel ka mundur të sigurojë këto dy dokumente.
Fleta e votimit me mbishkrimin “për zgjedhjen e presidentit të Republikës” është e formatit A4, në kokë ka edhe logon simbol të 100-Vjetorit të Pavarësisë, përfshin dy radhë, pra për dy emra kandidatësh nëse do të kishte dy alternativa.
Ndërsa në shënimin udhëzues u kërkohet deputetëvë të vendosin përbri emrit të kandidatit shenjën + ose X në katrorin e dëshiruar. Vendosja e më shumë se një shenje në katrorin e paraqitur e bën të pavlefshme fletën e votimit.
Ndërsa hartimi i proçesverbalit është formuluar në bazë të nenit 87 të Kushtetutës dhe nenit 109 të rregullores së Kuvendit. Pjesa e parë e formularit është një përmbledhës i deputetëve që do të ishin prezent në sallë dhe në bazë të firmave të hedhura nga ata në listën përkatëse, si dhe numrin e fletëve të vlefshme e të pavlefshme.
Pjesa e dytë e proçesverbalit i përket numërimit të votave për secilin nga kandidatët, gjithnjë nëse në garë janë dy kandidatë. Ndërsa pjesa e tretë është një përmbledhës i votave të marra nga secili kandidat.
Vlen për t’u parë nëse në votimin e tretë këtyre fletëve të votimit do t’u vihen emra për të mos qëndruar bosh, sikurse ndodhi në raundin e dytë.
Top Channel