Presidenti i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik ka deklaruar se nuk do të kërkojë falje për shkak të sulmit verbal ndaj një gazetareje serbe, të agjencisë së lajmeve Beta të Beogradit.
Ai ka thënë se atij askush nuk i ka kërkuar falje ndonjëherë kur ka shkruar kundër tij. Dodik, në një konferencë për shtyp dy ditë më parë, ofendoi gazetaren e agjencisë Beta, duke e quajtur gënjeshtare dhe duke i thënë të largohet nga konferenca.
Ai ka qenë duke folur së bashku me ministrin serb të Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, kur është pyetur nga gazetarja për ngjarjen, por në vend të përgjigjes gazetares i ka thënë “ik, shporru që këtu”.
Mediat serbe dhe politikanët e kanë quajtur sjelljen e Dodik, i cili është president i Republikës Srpska të Bosnjës, si skandaloze dhe asociacioni i gazetarëve ka kërkuar që ai të kërkojë falje.
Gazetarja Biljana Kovaçeviç ka qenë e para që ka bërë të ditur lajmin se Dodik, i cili në njëfarë forme kërkon shkatërrimin e Bosnjës dhe mban lidhje të forta me Beogradin, ndodhej nën hetime dy vjet më parë.
Ai dyshohej se kishte dëmtuar buxhetin prej 115 milionë markash boshnjake, ose rreth 60 milionë euro. Kjo, sipas gazetares, ka ndodhur në disa projekte ndërtimi, por sipas Dodik, një gjë e tillë është gënjeshtër.
Top Channel