Emrat e personave të dënuar për pedofili në Maqedoni në të ardhmen do të pubkilohen në internet.
Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Spiro Ristovski, promovoi faqen e posacme në internet, ku do të publikohen emri, mbiemri, adresa dhe fotografia e personave që kanë me abuzuar me fëmijë. Kjo listë përmban 100 pedofilë, ndërsa së shpejti pritet të plotësohet.
“Nevoja për krijimin e regjistrit të tillë del nga numri i rritur i personave që i përsërisin këto vepra penale. Sipas aktvendimeve të analizuara gjyqësore për periudhën nga janari i vitit 2004 deri në vitin 2009 prej 231 personave të dënuar, 191 janë kundërvajtës primarë ndërsa 38 ose 16 për qind i përsërisin veprat”, tha Spiro Ristovski, Ministër i Punës dhe Politikës Sociale në Maqedoni.
Ndonëse me publikimin e emrave thyhen disa të drejta njerëzore, ministri Ristevski thotë se nuk ndjen përgjegjësi për një gjë të tillë.
“Shpresa se do të shpëtoj jetën e një fëmije e bën ndërgjegjen time totalisht të pastër, ndërsa përgjegjësia ime politike dhe funksioni im në ministri janë totalisht të parëndësishme për mua”, shtoi Spiro Ristovski, Ministri i Punës dhe Politikës Sociale në Maqedoni.
Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, thonë se personat e dënuar do të kontrollohen deri në fund të jetës së tyre, me qëllim që të ndiqet situata e tyre, lëvizja dhe vendqëndrimi. Nëse i dënuari vërehet në vende ku ka më shumë fëmijë, siç janë kopshtet për fëmijë, parqe e tjerë, personi zyrtar nga MPB-ja dhe çdo qytetar ka obligim ta denoncojë në polici.
Top Channel