Ka përfunduar rreth orës 22:00 të mbrëmjes së të dielës, takimi mes
Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës Edi Rama në Kryesinë e
Kuvendit të Shqipërisë, ku u diskutua për çështjen e Presidentit të ri
të Republikës.

Pas takimit, i pari doli Rama, i cili për mediat u shpreh se nuk ka asnjë zhvillim në drejtim të një rezultati konkret, por shprehu besimin se ekziston një bazë për të vazhduar diskutimin me qetësi dhe respekt reciprok, e njëkohësisht me bindjen se çështja e presidentit duhet zgjidhur dhe se raundet nuk janë për t’u konsumuar, por janë për të gjetur një zgjedhje konsensuale mes opozitës dhe mazhorancës.

“Ne jemi të gatshëm që të vazhdojmë të gjitha përpjekjet tona, sepse ne nuk duam një president të PS-së, nuk duam të vendosim njëanshmërisht apo të imponojmë një zgjidhje, por duam të kontribuojmë për këtë çështje. Qeveria për momentin qëndron tek kandidatura e Xhezair Zaganjorit, ndërsa ne qëndrojmë në pozicionin parimor, që nuk mund të hyjmë në një garë emrash pa përcaktuar paraprakisht jo vetëm vullnetin për ta zgjidhur me konsensus këtë çështje, por edhe një modalitet të qartë që nënkupton një kornizë parimore, brenda së cilës pa asnjë dyshim ne mund të gjejmë konsensus dhe opozita mund të japë konsensus”, tha Rama, pas takimit.

Kreu socialist theksoi se opozita dëshiron që çështja e Presidentit të zgjidhet sa më parë dhe se nga ana e saj ekziston gatishmëria për vijimin e negociatave, me qëllim që Shqipërisë t’i jepet presidenti i konsensusit mes qeverisë dhe opozitës.

Pas takim për mediat foli kryeministri i vendit, Sali Berisha:

“Shpreha vendosmërinë e mazhorancës për një përpjekje për zgjidhje konsensuale të këtij problemi, ashtu siç e përcakton Kushtetuta, e cila në frymë dhe në gërmë e përcakton këtë zgjidhje, si zgjidhje kushtetutese të tre raundeve të para”, tha Berisha.

Kryeministri theksoi se në takim u bë një shkëmbim i mendimeve dhe pikëpamjeve për procesin.

“Mazhoranca i ka bërë hapat dhe tërheqjet e veta, duke bërë një paraqitje në një fushë jashtë interesave të ngushta partiake, duke i dhënë përparësi perpjekjes serioze per nje zgjidhje konsensuale me opoziten. Ne mendojmë që edhe opozota do te beje hapat e saj”, tha Berisha, duke shtuar se në takim u shprehën qëndrimet dhe pozicionet, por nuk ka ende një rezultat konkret.

Pak orë përpara takimit Berisha-Rama, kryesocialisti Rama u takua në
barin pranë selisë së Partisë Socialiste me ambasadorin e Bashkimit
Europian Ettore Sequi. 

Takimi ishte informal dhe i panjoftuar për mediat. Në përfundim të tij ambasadori Sequi tha shkurt se kishte folur me zotin Rama për të ardhmen europiane të Shqipërisë. E ardhme që në fakt sot mbetet peng i zgjedhjes së presidentit të Republikës, por edhe i reformës zgjedhore dhe asaj të procedurave parlamentare.

Top Channel