Dy deputetë grekë të partisë neonaziste Chryssi Avgi (Agimi i Artë) dhe e bija e liderit të partisë janë marrë në pyetje nga policia pas një sulmi ndaj një emigranti pakistanez.

Deputetët Ilia Panagiotaros dhe Ioannis Vouldis si dhe e bija e kreut të partisë së tyre, Nikos Michaloliakos, ndodheshin në vendin e ngjarjes kur disa motoçiklistë sulmuan pakistanezin.

Të tre janë lënë të lirë pas marrjes në pyetje për mungesë provash.

Edhe të enjten në mbrëmje u shënuan dy sulme të tjera raciste në Athinë. Sipas policisë greke, persona të panjohur sulmuan me thika dhe plagosën rëndë tre emigrantë, një shqiptar dhe dy polakë.

Policia thotë se të dyshuarit udhëtonin me disa motoçikleta, kur në mënyrë të papritur kanë ndaluar dhe qëlluar me thika ndaj emigrantit shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet publik. Ngjarja ndodhi në rrugën Krinagoru, në lagjien Neos Kozmos rreth mesnatës së të enjtes, ndërsa  akti i dytë u shënua 20 minuta më vonë, vetëm 500 metra më larg.

Sërish autorët ndodheshin në bordin e motoçikletave. Edhe në rastin e dytë, ata zbritën furishëm prej motoçikletave dhe qëlluan me thika ndaj dy emigrantëve polakë dhe u larguan në drejtim të paditur. Dëshmitarë okularë thanë se në të dy sulmet agresorët sulmuan viktimat pa asnjë shkak.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA