Kriza ekonomike i ka dhënë një goditje të rëndë edhe pijes së famshme greke, uzos, pasi taksat e larta kanë gjunjëzuar si prodhuesit e saj ashtu edhe konsumatorët.
Uzo, e cilësuar edhe si “qumështi” i burrave, është një prej elementëve kryesorë të traditës greke, shoqëron këngët, ushqimin në tavernat vendase, madje është përdorur edhe për të larë duart në disa prej ceremonive mortore.
Sipas peshkatarëve dhe fermerëve te ishullit të famshëm të Lesbos, ka një legjendë për uzon, ajo ka një moshë qindravjeçare dhe është po aq greke sa Akropoli.
“Kjo na bën të ndjehemi mirë. Na ndihmon të harrojmë gjërat. Kryesorja është që na pëlqen. Na pëlqen uzoja”, thotë Jorgos Tsamouras, peshkatar i Lesbos.
Por tashmë grekët po e harrojnë uzon. Konsumimi i saj ka rënë mbi 33% në krahasim me 5 vjet më parë. Prodhuesit shprehen se po bëjnë një luftë kolosale për të mbijetuar.
“Situata është e vështirë. Nuk ka likuiditet nga bankat. Qeveria greke na ka borxh sasi të madhe parash për vite me rradhë nga TVSH-ja në eksportet tona, ndërsa ne nuk mund të rrisim çmimin e produktit tonë në një kohë kur jeta është e kaq e vështirë për klientët tanë”, thotë Mitsaqis Kristos, drejtor menaxhues i “Ouzo Plomari”.
Një nga kompanitë më të mëdha të vendit në këtë ishull, “Ouzo Plomari” ka rritur eksportin, por konsumi i tregut vendas po e gjunjëzon duke e detyruar të reduktojë numrin e ditëve të punës që të mos i hedhë njerëzit në rrugë.
Drejtuesit fajësojnë tre rritjet e njëpasnjëshme të TVSH-së mbi pijet alkolike brenda një viti, reduktimin e të ardhurave të konsumatorëve dhe papunësinë.
“Para krizës do të uleshim të pinim dy kana të vogla me uzo, ndoshta edhe tre. Tani pijmë vetëm dy gota nga një shishe e vogël”, thotë Firigos Dukas, fermer.
Shpresë e vetme për t’i mbijetuar krizës për prodhuesit e saj tani për tani janë eksportet dhe ruajtja e cilësisë. Për ta është e pakonceptueshme që uzo të zhduket, pasi siç shprehen vetë vendasit, kurrë nuk vdes diçka që ka jetuar ndër shekuj.
Top Channel