
Të paktën dy ushtarë gjermanë të KFOR-it u plagosën gjatë përpjekjeve për të liruar rrugën që lidh Mitrovicën me pikën kufitare 1 në Jarinjë. Lajmi e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.
Gjithcka ndodhi kur një aksion i forcave paqeruajtëse nisi mëngjesin e së premtes në fshatin Rudarë të komunës së Zveçanit për të mundësuar lirinë e lëvizjes edhe në këto anë.
Burimet kanë shpjeguar për Top Channel se një kontigjent i KFOR-it gjerman po vinte nga Leposaviçi me synim largimin e barrikadës në fshatin Rudarë, ndërsa forca të tjera ishin stacionuar te vendi i quajtur Kërshi i Dudës.
Por diçka e tillë hasi në rezistencën e ashpër të qindra serbëve të cilët u mblodhën për të kundërshtuar veprimet e KFOR-it, një gjë kjo e cila pasoi me përleshje mes serbëve dhe ushtarëve të KFOR-it. Gjatë kësaj kohe u plagosën edhe ushtarët e kforit e 3 serbë.
Gjatë aksionit KFOR-i ka arrestuar dhjetëra serbë, tre prej të cilëve i ka dërguar në rajonin policor në jug të Mitrovicës. Përfaqësuesit e komunës paralele serbe bënë thirrje për tërheqjen e serbëve, pasi siç jknë deklaruar, KFOR-i është i gatshëm të përdorë armët e zjarrit.
Deri në fund të ditës tri barrikada ishin larguar nga rruga kryesore në drejtim të pikës 1 në Jarinjë. E para ndodhej në vendin e quajtur “Kërshi i Dudës” për të vazhduar me dy barrikada të tjera në fshatin Rudarë.
Nga ana tjetër, KFOR-i të premten bllokoi tërësisht lëvizjet e qytetarëve, sidomos shqiptarë të cilët banojnë në tri fshatra, Zhash Boletin dhe Kelmend të komunës së Leposavicit. Po kështu edhe gazetarët e mediave kosovare të cilët vinin nga Mitrovica nuk u lejuan të vazhdojnë më tutje.
Edhe këtë herë rrugët alternative, si për gazetarët ashtu edhe për banorët ishin e vetmja zgjidhje.
Prishtina: Sulmi i papranueshëm
Zhvillimet në veri të Kosovës kanë nxitur reagime të forta nga Prishtina zyrtare. Dhuna mbi forcat paqeruajtëse të NATO-s nga një grup i qytetarëve të komunitetit serb në Mitrovicën e veriut është dënuar nga të gjithë udhëheqësit e shtetit dhe opozita.
Presidentja Atifete Jahjaga i ka cilësuar si “të papranueshme” përpjekjet e strukturave ilegale serbe për të penguar me dhunë heqjen e barrikadave nga rrugët dhe për të penguar qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave në këtë pjesë të territorit te Kosovës.
Ne reagimin e saj, qeveria e Kosoves e vlerëson lartë angazhimin e forcave të KFOR-it për heqjen e barrikadave në fshatin Rudar, për të mundësuar lirinë e lëvizjes së qytetarëve edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës.
Ekzekutivi vlerëson se, liria e lëvizjes, si e drejtë fondamentale, është në interes të të gjithëve, e më së shumti në interes të vetë qytetarëve që jetojnë në veri të vendit.
“Prandaj, heqja e barrikadave në rrugë nënkupton edhe heqjen e frikës tek qytetarët atje, si dhe mundësinë për një jetë normale”, thuhet në reagimin zyrtar për shtyp.
Edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi i ka dënuar ashpër sulmet ndaj paqeruajtësve, duke i cilësuar sulme mbi demokracinë, lirinë dhe perspektivën e qytetarëve të Kosovës.
Ndaj zhvillimeve në veri ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që foli për sulme të armatosura të “bandave kriminale serbe drejtuar kundër ushtarëve të KFOR-it”.
Kocijancic: Të shqetësuar për situatën në veri
Bashkimi Evropian ka reaguar në lidhje me situatën më të fundit në veriun e Kosovës, të cilën e ka cilësuar shumë shqetësuese, duke bërë thirrje për vetëpërmbajtje.
“Është e vërtetë se jemi shumë të shqetësuar për situatën aktuale në veri të Kosovës, ku dhuna nisi gjatë një operacioni të KFORit për të hequr barrikadat. Ju e dini se për ne, parimi bazë i lirisë së lëvizjes është një nga parimet kyçe, e kjo është dhe një nga çështjet e diskutuara në dialogun Prishtinë-Beograd. Për momentin ngjarjet në terren janë në zhvillim e sipër dhe ne jemi në kontakt me partnerët tanë të NATOs. Dhe si gjithnjë në raste të tilla, ne i bëjmë thirrje të gjithëve që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të bashkëpunojnë më organizatat ndërkombëtare në Kosovë”, tha Maja Kocijancic, zëdhënëse e Catherine Ashton.
Megjithëse garantimi i lëvizjes së lirë është detyrë e misionit të BEsë në Kosovë, sipas zëdhënëses së Catherine Ashton, EULEX nuk është përfshirë në operacionin e sotëm që është zhvilluar vetëm nga KFORi.
Bildt: Të shqetësuar për Kosovën
Ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt ka shprehur shqetësimin e vendit të tij në lidhje me situatën në veri të Kosovës, ku gjatë së premtes mbetën të plagosur dy ushtarë të KFOR-it.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social Twitter, shefi i diplomacisë suedeze u ka bërë thirrje palëve të përfshira që ta zgjidhin situatën me dialog.
“Jam i shqetësuar me lajmet që vijnë nga veriu i Kosovës. Kemi nevojë për dialog dhe pajtim dhe jo për forcë e dhunë”, është shprehur Bildt.
Bildt është një ndër zyrtarët e shumtë evropianë që kanë bërë thirrje që situata në veri të Kosovës të zgjidhet me dialog, por këto apele Serbia i ka shpërfillur dhe vazhdon t’i shpërfillë.
Nga ana e tij, Bashkimi Evropian duket se preferon ta “përkëdhelë” Beogradin, duke mos i bërë asnjë presion për të hequr dorë nga politika e konfliktit dhe për të shpërbërë strukturat paralele.
Top Channel