Nga Kuvendi i Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi falënderoi Bashkimin Europian për dhënien e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, që sipas kryeministrit ishte lajm i vonuar, por i shumëpritur.

Marrja e udhërrëfyesit me 14 qershor, sipas kryeministrit erdhi si rezultat i kushteve të përmbushura nga Kosova më parë, ndërsa theksoi se Prishtina do të përmbushë të gjithë detyrimet që lindin si rrjedhojë.

”Ky është lajm i vonuar, por i shumëpritur. Dje u hap një etapë e re me BE-në. Të gjitha që dalin nga ky proces, qeveria do t’i trajtojë me seriozitet, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza në BE. i falënderoj kryetarët e komunave, gjithë partitë politike për përkrahjen e vazhdueshme që po i japin këtij procesi, OJQ-të dhe mediat”, u shpreh kryeministri Thaçi.

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se marrja e udhërrëfyesit është një lajm i mirë për Kosovën. Por, sipas tij, udhërrëfyesi do të përmendë dukurinë e korrupsionit të lartë në vend, papunësinë dhe dukuri të tjera.

”Udhërrëfyesi qartësisht kërkon të ulet korrupsioni, papunësia, krimi i organizuar, të ndreqen spitalet, shkollat dhe të punësohen njerëzit. Kjo është rruga e vetme dhe këtë kërkon edhe udhërrëfyesi”, tha Gjini.

Më tej, gjatë seancës së Kuvendit, kryeministri foli edhe zhvillimet në vend. Ai tha se janë tri ngjarje historike që kanë ndodhur brenda një viti, siç është momenti i 25 korrikut, organizimi i zgjedhjeve serbe nga ana e OSBE-së në Kosovë, si dhe momenti i tretë, vendimin për hapjen e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës.

Këtë të fundit, hapjen e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, e ka kritikuar nënkryetari i Kuvendit nga “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca. Sipas Konjufcës, themelimi i institucioneve në veri duhet ta bëhet nga institucionet e sigurisë dhe jo nga Qeveria e Kosovës.

“Nëse ka nevojë për themelimin e ndonjë institucioni në veri, këto janë institucionet e sigurisë së Kosovës. Të krijosh zyre atje, kur edhe Beogradi ka institucionet e MUP-it është sikur Bajram Rexhepi që vendosi kontejner plastike”, tha deputeti i “VV”.
Konjufca theksoi se Serbia në veri po kërkon më shumë se plani i Ahtisarit dhe duke e parë që qeveria nuk e ka ndërmend t’i shpërbëjë strukturat kriminale serbe, atëherë po shihet se qeveria do të përfundojë në negociata.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA