Presidenti i ri i Serbisë, Tomislav Nikolic, u betua të enjten përpara Parlamentit dhe nisi zyrtarisht mandatin e tij 5-vjeçar në krye të Beogradit zyrtar.
Nikolic fitoi zgjedhjet presidenciale të 20 majit përballë ish-presidentit Boris Tadiç, që kërkonte mandatin e tij të tretë presidencial.
Në seancën speciale të Parlamentit ishin të pranishëm edhe ish-presidentët Tadiç e Milutinoviç, funksionarët më të lartë të ushtrisë dhe policisë, politikanë, drejtues e komuniteteve fetare dhe të ftuarit e trupit diplomatik.
Përpara se të shpallej solemnisht Presidenti i Ri i Serbisë, Nikoliç lexoi betimin që niste me tekstin: “Betohem se do të ushtroj të gjithë fuqinë që më jep kushtetuta për ruajtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Republikës së Serbisë, përfshi Kosovën dhe Metohinë, si pjesë thelbësore përbërëse e saj”.
Pas leximit të tekstit, Zaharije Trnavçeviç, i cili shërben si folës i përkohshëm në Parlament, përgëzoi Nikoliç për nisjen e mandatit të tij të ri.
Nikoliç nuk ka formuar ende kabinetin e tij qeveritar, ndërsa është në pritje të një përgjigje nga ana e Tadiç, të cilit i është ofruar detyra që të kryesojë qeverinë si kryeministri i ri.
Top Channel