Egjipt, rrëmbehen dy turistë amerikanë

31/05/2012 00:00

Dy turistë amerikanë janë rrëmbyer në Sinai të Egjiptit nga anëtarët e
një tribuje lokale, si kundërpërgjigje ndaj arrestimit të një trafikanti
droge.

Banorët e tribuve lokale kanë folur tashmë për gazetarët dhe kanë kërkuar lirimin e trafikantit, si dhe kanë bërë kërkesa të tjera.

Turistët u ndaluan nga një person i armatosur teksa po udhëtonin nga resorti i Dahabit përgjatë bregut, në afërsi të Izraelit.

Gadishulli i Sinait është kthyer në një zonë me kriminalitet të lartë që nga rënia e regjimit të Hosni Mubarak vitin e kaluar, njofton korrespondenti i BBC në Kajro.

Një numër i konsiderueshëm turistësh të huaj janë rrëmbyer në këtë zonë, por zakonisht ata janë liruar brenda një kohe të shkurtër.

Deri tani vija bregdetare, ku ndodhen dhe resortet kryesore, mendohej se ishte e sigurtë. Por ngjarja në fjalë përbën një goditje të re për turizmin e dëmtuar egjiptian nga Pranvera Arabe, thotë korrespondenti i BBC.

Top Channel