
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë nuk di ende se çfarë të bëjë me
administratën e tij në veri të Mitrovicës, roli i të cilës është zbehur
pas hapjes së Zyrës Administrative të qeverisë së Kosovës.
Shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe vetë qeveria e Prishtinës i kanë kërkuar UNMIK-ut që të mbyllë misionin e tij në veri dhe dokumentacionin t’ia transferojë zyrës së re, që së shpejti do të nisë nga funksioni.
Sipas së përditshmes “Koha Ditore”, një javë pas vendimit të qeverisë për ngritjen e zyrës që do të menaxhojë fondet për veriun, punë që deri më sot është kryer nga UNMIK, misioni në fjalë është ende në dilemë nëse do ta mbyllë apo jo UAM-në.
“Është ende herët të përgjigjemi për këtë. Presim kontakte me autoritetet e Kosovës dhe me aktorët e tjerë”, ka deklaruar zëdhënësi i UNMIK-ut, Olivier Salgado për “KD”.
Hapja e Zyrës Administrative u njoftua më herët gjatë muajit nga kryeministri Hashim Thaçi, i cili tha se ajo do të merret me shpërndarjen e buxhetit të Republikës së Kosovës në veri.
Kryeministri tha se zyra është e karakterit teknik dhe jo politik, ndërkohë që shtoi se qëndron prapa propozimit për një dialog me serbët e veriut.
Në reagimin e tij, sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç deklaroi se ngritja e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës është një tjetër provokim dhe përpjekje për të ndryshuar gjendjen në terren në prag të dialogut Beograd-Prishtinë.
Top Channel