Qindra punonjës të Korporatës Energjitike të Kosovës protestuan para ndërtesës së Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në Prishtinë.

Punonjësit kundërshtuan privatizimin e egër të KEK-ut, pensionimin e parakohshëm të punonjësve të korporatës dhe kërkuan plotësimin e kushteve të punës, etj.

Gjatë protestës ata kërcënuan se, në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre, në këto kushte greva do të mbetet mjet i pashmangshëm. Sindikalistët e quajnë të ngutshëm vendimin e qeverisë për shitjen e aseteve të KEK-ut.

Punonjësit kërkojnë që t’u ndërpritet menjëherë aktiviteti rreth testimeve të aftësive fizike e profesionale në formë selektive, që sipas tyre po bëhet me qëllim të ushtrimit të presionit për ulje të numrit të të punësuarve.

Lidhur me këto çështje përfaqësuesit e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik kanë shprehur gatishmërinë që të pranojnë përfaqësuesit e sindikatës.

Në një njoftim thuhet se, në këto takime është folur për të gjitha shqetësimet e përfaqësuesve sindikalë dhe iu janë dhënë garanci se në projektin e  privatizimit të KEDS-it dhe projektit “Kosova e Re” do të sigurohen vendet e punës për tri vjet.

Jo vetëm për punëtorët të cilët kanë kontrata pune me kohë të pacaktuar, por edhe me kontrata të përkohshme pune, e që paraqesin 60 për qind të numrit të të punësuarve në KEDS.

Top Channel