Pas humbjes në garën për president të Serbisë, betejë e zhvilluar me Tomisllav Nikoliç, Boris Tadiç, kreu i Partisë Demokratike serbe pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit.
Në fakt demokratët serbë që udhëhiqen nga ish-presidenti Tadiç prej disa ditësh janë në bisedime me socialistët e udhëhequr nga Ivica Daçiç për formimin e qeverisë së re.
Dy partitë janë në koalicion edhe në qeverinë që do t’i dorëzojë mandatin kabinetit të ri, që do të dalë pas tejkalimit të procedurave ligjore.
E në këtë anë nuk pritet asnjë pengesë pasi demokratët dhe socialistët, së bashku i kanë numrat e nevojshëm për të formuar mazhorancën e re, nga ku do të dalë edhe qeveria e re.
Para se të përfundonte gara presidenciale, emri që qarkullonte për kryeministër të Serbisë ishte ai i Ivica Daçiç, por tashmë, kur zgjedhjet kanë përfunduar, janë vetë socialistët ata që kanë propozuar Tadiç për kryeministër, ndërsa Daçiç pritet të mbajë postin e Ministrit të Brendshëm.
Ndërkohë, zgjedhjen e Nikoliç në krye të Serbisë ka marrë urimet më të përzemërta nga Bjellorusia, vendi që vuan një sëri sanksionesh të vendosura nga Bashkimit Europian për mosrespektimin e të drejtave të njeriut.
Presidenti bjellorus, Aleksandr Lukashenko ka përshëndetur fitoren e Nikoliç duke e cilësuar atë si një arsye shtesë për të përforcuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes Bjellorusisë dhe Serbisë.
Top Channel