Në epiqendër të mediave më të mëdha botërore ndodhet orët e fundit udhëheqëi i radikalëve të majtë grekë, Aleksis Tsipras, që viziton Parisin dhe Berlinin për të fituar solidaritetin e udhëheqësve të majtë, në qëndrimin e tij se programet e reformave të ashpra të BE-së janë një dështim.
38 vjecari Tsipras, lideri i partisë “Syriza”, që u rendit e dyta në zgjedhjet e 6 majit dhe ka gjasa të fitojë në ato të 17 qershorit, ka takuar në Paris udhëheqësin e se majtës franceze, Jean-Luc Melanchon.
Moto kryesore e partisë së tij është të anullojë marrëveshjen e kredisë me BE-në dhe FMN-në, duke shkaktuar një shok kudo në Europe. Por, njëkohesisht ai hedh poshtë kritikat se partia e tij do të çojë Greqinë drejt daljes nga Eurozona.
”Ne nuk jemi një force anti-europiane. Ne jemi një forcë që po lufton për të ruajtur kohezionin social në Europë. Mund të them se jemi forca më pro europiane që ekziston sot në Europë, sepse fuqitë dominuese te saj, po e cojne BE-në në destabilizim e kolaps, duke këmbëngulur për politikat e tyre të kursimit”, tha Tsipras për “Reuters”
Mediat franceze e kane quajtur liderin e ri, “Greku Melanchon”, duke theksuar se ai këmbëngul në rinegocimin e marrëveshjes së kredisë.
”A e duam financimin dhe mbështetjen e BE-së? Përgjigja është po, ne e duam atë. Por, ne duam që paratë e taksapaguesve europianë të kenë rezultat. Ne kemi pasur dy paketa të shpëtimit që shkuan në koshin e plehrave, në një fuçi pa fund”, u shpreh Tsipras.
Në intervistën dhënë britanikes “The Guardian”, kryeministri i ardhshëm potencial i Greqisë paralajmeroi se kriza greke është edhe krizë europiane, duke theksuar se Greqia po përballet me rrezikun e një krize humanitare dhe kërkon mbështetjen e popujve të Europës.
Ndëersa Bloomberg, në një artikull të orëve të fundit parlajmëroi grekët, se Tsipras dhe partia e tij janë të rrezikshem dhe mashtrues, pasi nuk mund të ketë njëkohesisht anullim të marrëveshjes së kredise dhe vazhdim të ndihmës ekonomike drejt Athinës”.
”Vetëm spekulatorët të cilët duan të krijojnë probleme paraqesin çështjen e euros për Greqinë. Zonja Merkel duhet të kuptojë se ajo nuk mban çelësat e derës së Eurozones, të cilen ajo mund ta hapë dhe ta mbyllë sa herë të dojë. Nuk ka pronarë dhe qiraxhinj në zonën e euros dhe Greqia nuk do të largohet nga hapesira e saj”, shtoi Tsipras.
Ai ka theksuar gjithashtu se BE duhet te marrë shembullin e SHBA-së në trajtimin e krizës. Ai do të përpiqet edhe në takimin me lideret e së majtës gjermane, Ernst Klaus dhe Gregor Gysi, të marrë mbështetjen për politikat e partisë së tij në lidhje me krizën, si krijimi i Eurobonove dhe transferimi i një pjese të borxhit ndaj Bankës Qëndrore Europiane, masa të cilat do të lehtësojnë miliona grekë.
Top Channel