Dora Bakojanis rikthehet tek Demokracia e Re. Është një prej “martesave” aspak të çuditshme të kohëve të fundit që po ndodhin në skenën politike greke, pas rezultateve te paqarta te zgjedhjeve të 6 majit, me synim ribashkimin e së djathtës konservatore në një front të vetëm.
Kështu ish-Ministrja e Jashtme Greke, Dora Bakojanis, një prej figurave më të shquara të konservatorëve, ishte larguar nga Demokracia e Re, pasi kishte humbur betejën me kundërshtarin e saj Andonis Samaras për udhëheqjen e partisë.
Ajo përfaqësohej në zgjedhjet nëpërmjet një force tjetër politike të djathtë, por ka vendosur të bashkohet përsëri me partinë mëmë, në prag të zgjedhjeve të reja të 17 qershorit.
”Para rrezikut që përballon Greqia, lëmë mënjanë mosmarrëveshjet tona dhe mobilizohemi së bashku në një front patriotik për Europën”, deklaroi Bakojanis, partia e së cilës siguroi vetëm 2.95% të votave, pa mundur të hyjë në Parlament.
”Nuk do të lejojmë të shembet për pak ditë ajo që Greqia ka arritur për vite me radhë, prandaj i uroj mirëseardhjen z.Bakojanis”, është shprehur nga ana e tij Andonis Samaras.
Gjithashtu, me Demokracine e Re janë bashkuar edhe disa deputetë të partisë ultranacionaliste ”LAOS” dhe me këtë ribashkim forcash konservatorët, duket se do të shtojne ndjeshëm fuqinë e tyre, jo vetëm për të qenë të parët, por edhe për të siguruar një përqindje shumë më të madhe se sa 19.2% që përqendruan në 6 maj dhe si rrjedhim një numër të konsiderueshëm vendesh në Parlamentin Grek.
Ky veprim ka krijuar shpresën tek e djathta për një qeveri të qëndrueshme pas zgjedhjeve, që do të vazhdojë reformat dhe do të sigurojë ekzistencen e Athinës në Eurozone, ndërsa priten edhe zhvillime të tjera të ngjashme bashkëpunimi nga kampet e partive të spektrit të majtë.
Top Channel