Votuesit në Serbi i drejtohen këtë të dielë kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e ardhshëm, i cili do të jetë njëri midis Boris Tadiç dhe Tomislav Nikoliç.

President që prej vitit 2004, Tadiç përballet në këto zgjedhje me rivalin e tij ultranacionalist, në atë që nga mediat ndërkombëtare është konsideruar si një zgjedhje e qartë midis të ardhmes europiane dhe pasioneve kombëtare.

Ndonëse në të shkuarën Nikoliç ka udhëhequr një koalicion kundër integrimit në BE, ai pretendon se ka ndryshuar qëndrim dhe se e mbështet anëtarësimin, por jo pa kushte.

Pasi ka humbur dy herë më parë ndaj Tadiç, Nikoliç ka përqendruar fushatën zgjedhore në çështje si ekonomia, ndërsa ka premtuar rritjen e taksave për të pasurit dhe tërheqjen e më shumë investimeve në vend.

Nga ana e tij, Tadiç vlerëson se suksesi i tij dhe Partisë Demokratike që udhëheq është vendimtar për zhvillimin e Serbisë në dekadën e ardhshme.

Në një debat televiziv më parë gjatë javës, ai deklaroi: “Bosch, Siemens, Fiat dhe Benetton nuk do të kishin zhvendosur qëndrat e tyre në Serbi nëse qeveria ime nuk do t’u kishte prezantuar garanci të qarta dhe një projekt të sigurt zhvillimi. Më shumë punë, më shumë investime dhe një jetë më të mirë për të gjithë. Kjo është ajo që premtojmë ne”.

Tadiç kujtoi se nën drejtimin e tij është bërë edhe hapi i madh i integrimit drejt Europës, duke plotësuar jo vetëm reformat e domosdoshme, por edhe duke arrestuar të dyshuarit si kriminelë lufte nga Haga, Radovan Karadzic dhe Ratko Mlladiç.

Nga rezultati i votimeve do të përcaktohet shumë edhe për qëndrimin e ardhshëm të Beogradit zyrtar ndaj Kosovës.

Zgjedhjet zhvillohen në klimë të ndezur politike, pasi Nikoliç akuzoi rivalin e tij për falsifikimin e 500 mijë votave në raundin e parë, ku Tadiç siguroi një avantazh të ngushtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA