Serbia do të ketë në krye të saj, Tomisllav Nikolic, kryetarin e Progresistëve, i cili ka arritur numrin më të madh të votave.
Ish-drejtori i Varrezave, pastaj në politikë në 20 vjetët e fundit si radikal dhe tri si progresist, në përballjen e tretë e ka mundur demokratin, Boris Tadic.Tadic nuk është ndihmuar as nga mbështetja e socialistëve dhe duket se kjo është fitorja më e thellë që nga ndryshimet demokratike dhe largimi i Sllobodan Milloshevicit.
“Kanë marrë pjesë 46 për qind të votuesve dhe kjo është pjesëmarrja më e ulët që nga viti 2004 në cfarëdolloj zgjedhjesh. Padyshim them që fitues është Tomisllav Nikolic”, thotë Marko Bllagojevic, nga Organizata për Zgjedhje të Lira.
Fituesi, i cilësuar në disa media serbe edhe si euroçetnik, ka dalë në selinë e partisë së tij për ta shpallur fitoren, e cila megjithatë ishte e befasishme.
“Kam fituar në zgjedhjet presidenciale dhe për këtë falenderoj qytetarët. Atë që e kam thënë unë do ta bëj: Serbia nuk do të kthehet nga rruga e Europës, Serbia dëshiron ta mbrotjë popullin e saj në Kosovë dhe Metohi. Ky nuk ka qenë referendum për Europën, por zgjidhje e problemeve të brendshme që i ka krijuar Boris Tadic”, tha Nikolic.
Nga ana tjetër, humbësi, ka uruar me një thellësi dëshpërimi.
“Qytetarët kanë vendosur për Tomisllav Nikolic dhe unë e uroj për fitoren. Do të ishte një gabim fatkee për Serbinë kthimi në vitet 90 dhe ndryshimin e orientimit të vendit. Mendoj se orientimi drejt Evropës është i një rëndësie ekzistenciale dhe jo për shkak të filozofisë politike, por të stabilitetit dhe mirëqenies ekonomike. Nëse mendimi im vlen, bëj thirrje për një orientim drejt Europës”, tha Tadic.
Pas këtyre zgjedhjeve Serbia konfirmon se historia e viteve ’90 nuk ka ndikuar shumë në ndarjet politike, temat e partive janë të njëjta, ndërsa revolucioni është përmbytur. Nikoliç pritet të tregojë gatishmëri për punë, ndonëse duket si parti pa qëndrime të qarta. Humbësi, pa dyshim është Boris Tadiç, të cilit duket se i kushtoi politika mbrojtëse dhe shfajësuese për çdo veprim.
Top Channel