Nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj ka deklaruar se proçesi gjyqësor i
mbajtur ndaj tij ka qenë vetëm një “luftë shtrigash”, e organizuar për
përfitime politike të personave të caktuar, emrat e të cilëve ai nuk i
ka përmendur.

Duke folur në emisionin “Debat” të “RTK”, Limaj, i cili u shpall i pafajshëm më herët gjatë muajit për akuzat e krimeve të luftës, ka thënë se edhe akuzat për korrupsion të ngritura ndaj tij kanë qenë të fabrikuara.

“E para, nuk kam çfarë të them për akuzat që më janë bërë për krime lufte, sepse për ato ka folur drejtësia. E kam thënë se lufta çlirimtare ka qenë e pastër dhe jam krenar që isha pjesë e saj”, ka thënë Limaj.

“E dyta, përsa i përket akuzave për korrupsion, e kam thënë se nuk është keqpërdorur asnjë qindarkë. Tashmë kësaj çështjeje i ka kaluar afati ligjor dhe drejtësia nuk ka gjetur asnjë shkelje”, ka vijuar ai.

Limaj është shprehur se atij është tentuar t’i bëhet një gjykim publik me bastisjen “spektakolare” të policisë në Ministrinë e Transportit, por tani në Kosovë ka fituar drejtësia.

Më tej, duke folur për punën e qeverisë, nënkryetari i PDK-së ka vlerësuar se ekzekutivi detyrimisht bënë punë të mira që nuk shihen, por edhe gabime që sipas tij nuk duhen përsëritur.

Ai ka vlerësuar se kabineti aktual qeveritar është i mbingarkuar, gjë që nuk përputhet me realitetin ku ndodhet Kosova, e cila sipas tij ka nevojë për të tjera gjëra.

“Është jashtëzakonisht e tepërt të kemi pesë zëvendëskryeministra. Gjithashtu, kemi disa ministra që më shumë rrinë jashtë Kosovës sesa brenda saj. Kjo është e tepërt. Por, natyrisht, kemi edhe ministra që janë jashtëzakonisht të përkushtuar në punën e tyre”, ka shtuar Limaj.

Top Channel