Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron dhe Presidenti i Francës, Francois Hollande, do të takohen ditën e shtunë gjatë takimit të G8-s, që është duke u zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hollande, i cili nisi detyrën e tij me një vizitë në Berlin me Kancelaren Angela Merkel, do të takohet më parë edhe me Presidentin e SHBA-ve, Barack Obama.
Takimi midis liderit francez dhe atij britanik pritet që të fokusohet në krizën e Eurozonës dhe masat që po merren për tejkalimin e saj.
Në një deklaratë të Londrës zyrtare, shkruhej se “pritet që të realizohet një shkëmbim i drejtëpërdrejtë opinionesh në lidhje me sigurinë dhe të ardhmen ekonomike të të dy vendeve”.
Një tjetër çështje e rëndësishme në bisedime pritet të jetë edhe ajo e Afganistanit.
Pritet që Cameron të ushtrojë presion ndaj Hollande për të kthyer vendimin e largimit të 3 400 trupave franceze nga vendi dy vjet përpara përfundimit të afatit.
Në periudhën e presidentit Sarkozy, Franca dhe Britania shënuan një ngrohtje reciproke të marrëdhënieve, ndonëse vendimi i Londrës për të qëndruar jashtë paktit për Europën të udhëhequr nga Parisi dhe Berlini bëri që të formohej një lloj distance në raporte.
Top Channel