Obama-Hollande: Masa për rrijten

18/05/2012 19:15

“Konsolidimi i financave publike duhet të shoqërohet me masa që garantojnë rritjen ekonomike”.

Kështu ka deklaruar presidenti amerikan Barack Obama, që ka pritur në Shtëpinë e Bardhë presidentin e ri të Francës, Francois Hollande, para hapjes së samitit të G8-ës në Kemp Dejvid.

“Greqia nuk duhet të dalë nga euroja dhe për këtë ne jemi dakord”, ka thënë gjithashtu presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, lidhur me Greqinë ka folur edhe komisioneri evropian i Tregtisë, Karel De Gucht, i cili është shprehur i bindur se dalja e Greqisë nga euro nuk do të ketë efekt domino.

“Një vit e gjysmë më parë ekzistonte rreziku për një efekt domino. Por tani, si në KE, si në BQE, ka njësi që po punojnë mbi skenaret e emergjencës në rast se Greqia falimenton”, ka thënë De Gucht.

Deklaratën e tij komisioneri e ka bërë në një intervistë për “De Standaard”, e cila mban titullin “Greqia pranë vijës së finishit”.

Ndërkohë, komisioneri për Çështjet Financiare dhe Ekonomike, Olli Rehn ka deklaruar për televizionin britanik Cannel Four, se Komisioni nuk po punon mbi një skenar të daljes së Greqisë nga eurozona.

Nga ana tjetër, kancelarja gjermane Angela Merkel ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin grek Karolos Papoulias, i cili e ka informuar mbi situatën e vështirë të vendit.

Zëdhënësi i Ministrisë gjermane të Financave, Silke Bruns ka deklaruar ndërkohë se qeveria gjermane e ka për detyrë të përgatitet për një dalje të mundshme të Greqisë nga euro.

“Qytetarët presin me të drejtë që qeveria të jetë gati për çdo situatë”, ka deklaruar Bruns duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Berlin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA